Connect with us

Sport

HISTORIKE/ Kombëtarja ‘qëndis’ kuqezi flamurin europian, mposht Poloninë

Kombëtarja shqiptare e futbollit mundi 2-0 Poloninë në “Air Albania”, për sfidën që vlente kualifikueset e grupit E për Europianin 2024 që zhvillohet verën që vjen në Gjermani. Për djemtë e Sylvinhos golat u shënuan nga Jasir Asani dhe Mirlind Daku në minutat 37 dhe 62.

Kuqezinjtë tanimë mbajnë kreun e grupit E me 10 pikë, dy më shumë se Çekia (një ndeshje më pak) dhe po dy më shumë se Moldavia. Me këtë humbje, Polonia mbetet në vendin e katërt me gjashtë pikë. Në fund Ishujt Faroe me vetëm një pikë.

Historike ishte fitorja e Kombëtares kundër Polonisë, teksa thyhet “mallkimi” 70-vjeçar që kishim kundër polakëve. Fitorja e fundit (dhe e vetmja deri para kësaj ndeshje) datonte në vitin e largët 1953.

Në 15 ndeshje të luajtura mes tyre, Shqipëria ka dy fitore, tre barazime dhe dhjetë fitore shkojnë për polakët. Paçka shifrave, kuqezinjtë e Sylvinhos treguan sot në fushë se asgjë nuk ka vlerë veç shpirtit dhe zemrës në fushë. Burrat e Shqipërisë dolën në fushë dhe veshën flamurin kuqezi në një duel që na afron me fazën finale të Euro 2024, që luhet në Gjermani verën që vjen.

Tanimë tanët kanë edhe tre ndeshje për të luajtur në këtë grup, teksa presim Çekinë në tetor, luajmë kundër Moldavisë (në transfertë) dhe me Ishujt Faroe po në Tiranë në nëntor.

Me një këmbë në Gjermani, kuqezinjtë treguan nivel të lartë loje kundër Polonisë, teksa iu falëm edhe VAR-it, që në minutën e 21-të anuloi një gol për pozicion jashtë loje të Kiuior.

Jasir Asani në minutën e 37 zhbllokoi ndeshjen me një perlë nga më shumë se 25 metra, me sferën që u ndal pas krahëve të portierit. Edhe në pjesën e dytë tanët zotëruan lojën dhe ishte Daku që pas disa sekondave në fushë (62′) shënoi për 2-0, duke na afruar me historinë. Duket se suksesi i 2016, do përsëritet edhe në këto kualifikuese, me kuqezinjtë që janë me një këmbë në Europian dhe fatin e këtij triumfi e kemi vetë në “këmbë”.

Renditja:

Komentet kryesore të ndeshjes:

90′ Mbyllet ndeshja 2-0.

62′ Shqipëri 2-0 Poloni! Mirlind Daku shënon golin e dytë për Shqipërinë pak sekonda pasi u fut në fushë. Ylber Ramadani asist për sulmuesin. Daku gjen golin e parë me kuqezinjtë në ndeshjen e tij të dytë.

46′ Nis pjesa e dytë.

45+8′ Mbyllet 1-0 pjesa e parë.

45′ Tetë minuta shtesë.

37′ Shqipëri 1-0 Poloni. Jasir Asani kalon në avantazh Shqipërinë me një supergol.

36′ Asllani provon nga jashtë zone, topi del jashtë.

21′ Kiwior kaloi në avantazh Poloninë pas një krosimi nga e majta e sulmit, me lojtarin që ishte pozicion jashtë loje. Arbitri spanjoll në fillim e akordoi golin si të rregullt, ndërsa ishte VAR që i erdhi në ndihmë kuqeiznjve, me kontrollin e teknologjisë që e cilësoi si pozicion jashtë loje.

7′ Ka nisur me tensione ndeshja Shqipëri- Poloni në stadiumin “Air Albania”. Tifozëria polake është përfshirë në një konflikt me kuqezinjtë, saqë është dashur ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën.

5′ Ndeshja vijon normalisht.

2′ Ndeshja Shqipëri – Poloni u luajt vetëm pak sekonda në “Air Albania”, para se arbitri spanjoll José María Sánchez ta ndërpriste duelin për më shumë se tre minuta pasi tifozat kuqezi hodhën flakadanë në fushë. Më pas gjithçka vijoi normalisht.

1′ Nis ndeshja në ‘Air Albania’.

Pragndeshja/ Tanimë ethet e ndeshjes kanë nisur, me tifozët që janë nisur nga mbarë trojet shqiptare për të qenë në stadium. Grupimi i Tifozave Kuq e Zi që prej orës 15:00 janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku kanë nisur festën me këngë patriotike. “Xhamadani vija-vija, është Kosova është Shqipëria”, dëgjohet të thonë tifozët, që kërkojnë një fitore sonte kundër polakëve për të vijuar me rrugëtimin drej Evropianit të Gjermanisë.

Në prag të ndeshjes, trajnerët Sylvinho dhe Fernando Santos kanë bërë me dije edhe titullarët në të dyja kampet. Kuqezinjtë luajnë me skemën 4-3-3, teksa Sylvinho ka bërë dy ndryshime nga ndeshja e tre ditëve më parë kundër Çekisë në Pragë. Strakosha dhe Uzuni do jenë në fushë nga minuta e parë kundër Polonisë.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami; Asani, Uzuni, Cikalleshi Trajner: Sylvinho

Polonia (4-4-2): Szczesny; Cash, Kedziora, Bednarek, Kaminski; Kiuor, Zielinski, Szymanski, Krychouiak, Berezynski, Lewandowski Trajner: Fernando Santos

 

 

Advertisement