Kosova
Historitë horror të Beogradit/ Media gjermane kundër propagandës serbe
Gazetari i mirënjohur gjerman, Michael Martens, i ka dedikuar një shkrim në prestigjiozen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung propagandës horroriale të Serbisë për “spastrim etnik” në Kosovë dhe si provohet që të çmontohet kjo propagandë.
Në artikullin në fjalë, i titulluar, “Pse historitë horror të Beogradit janë thjesht propagandë”, fillimisht, shtrohen pretendimet e ngritura e të përsëritura nga pushteti në Beograd, nisur nga presidenti serb Vuçiç, që thonë se ka një diskriminim sistematik e mizor në Kosovë.
“Në korrik, Aleksandër Vuçiç foli për “tortura dhe persekutime të rënda”, për “pogrome” dhe për “spastrim etnik” që po pësonte popullata serbe në shtetin që Serbia nuk e njeh. Për këto pretendime që përsëriten edhe nga kryeministrja serbe Ana Bërnabic e nga kryediplomati Ivica Daçic, ndër tjera prestigjozja gjermane thotë se janë “thjesht propagandë”.
Aty ofrohet si fakt edhe raportimi i gjashtë muajve të fundit nga UNMIK-u. Edhe pse ndoshta, nuk është referenca më e mirë e mundshme, raporti citon disa raste jo fort të mira për Kosovën dhe që përmenden nga media gjermane, përfshirë edhe injorimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit të Deçanit.
Megjithatë, aty thuhen edhe të tjera gjëra që në mënyrë të qartë e kontestojnë propagandën e Serbisë.
Pasi përmendet se si ishte raportuar nga UNMIK-u për indicia se grupe njerëzish kanë tranpsortuar armë me autoambulanca, artikulli thotë se
“…raporti i OKB-së mund të kishte përmendur që mungesa e dyshimit te auto-ambulancat është keqpërdorur në të kaluarën për të kontrabanduar armë dhe municione nga Serbia në Kosovë,”
Përveç kësaj, Martens shkruan edhe rreshtat në vijim se “…UNMIK-u beson se disa nga sulmet kundër serbëve të Kosovës besohet se vijnë nga serbët e tjerë të Kosovës.”
Një gjë që do të ndihmonte për ilustrim ishte djegia e makinave të serbëve që i kishin konvertuar targat ilegale në targa legale të Republikës së Kosovës dhe se prapa këtyre veprimeve dyshohet se janë radikalë nga komuniteti serb.
Një tjetër presion i serbëve ndaj serbëve që përmendet këtu edhe ai për të mos u futur në Policinë e Kosovës, gjë po ashtu e dëshmuar, e kundër të cilit kishte reaguar edhe ambasada e ShBA-ve.
Megjithëse në artikull thuhet që “kushtet për serbët nuk janë ideale”, vazhdohet duke thënë që përmendja e “spastrimit etnik” përbën “ekzagjërim grotesk” nga ana e Beogradit dhe se disa analistë e kanë parë gjuhën e Beogradit ndaj Kosovës si të rrezikshme dhe luftënxitëse.