Kosova
Hoti sulmon Kurtin: Mandati më i dobët qeverisë ndonjëherë
Për ish-kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, qeveria aktuale e drejtuar nga Albin Kurti, është më e dobëta që ka pasur Kosova.
“Është mandati më i dobët ndonjëherë qeverisës në vend dhe këto nuk janë vlerësime të opozitës, por mund të verifikohen në terren në secilin prej sektorëve një nga një sheh se nuk janë realizuar as premtimet jo se jo, por nuk janë ndërmarrë edhe veprimet karshi situatave të krijuara që ka pas nevojë për ndërhyrje të qeverisë”, tha Hoti në një intervistë për Kosovapress.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka theksuar se ndryshe nga tani, në vitet e kaluara Kosova nuk ka qenë njëra nga vendet me të varfra në Evropë.
“Por, ajo që ka ndodhë në tre vjetët e fundit në veçanti në bazë të dhënave të Bankës Botërore tregon që nuk kemi pas një konvergjencë ekonomike të Kosovës sa i përket të ardhurave për kokë banori me mesataren rajonale te të ardhurave për kokë banori me mesataren e të ardhurave për kokë banori me vendet e BE-së, por kemi pas një divergjencë, ka shkuar ende më poshtë mesatarja e të ardhurave për kokë banori në Kosovë krahasuar me regjionin”, shtoi.
“Ndërkohë që vendet tjera në regjion, në veçanti Shqipëria, por edhe Mali i Zi, vendet e tjera janë duke lëvizur shumë më shpejt drejt mesatares së BE-së, ne jemi duke shkuar poshtë, edhe ndaj mesatares së BE-së edhe ndaj mesatares së vendeve të Ballkanit. Dikur ka qenë rreth 74 për qind të ardhurat për kokë banori në vend si mesatare e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tani kemi rënë rreth 67 për qind”.
Ndërsa sa i përket ligjit të punës, Hoti gjithashtu kritikon mungesën e dialogut social dhe thotë se kjo barrë financiare duhet t’i ngarkohet buxhetit të shtetit.
“Përvojat ndërkombëtare janë të tilla që kjo barrë financiare duhet të ngarkohet shoqërisë, që është buxheti i shtetit, por, edhe në këtë pjesë po bëhen katër vjet që nuk kemi një dialog social, ku ulen odat ekonomike si përfaqësues të bizneseve, ku ulen sindikatat si përfaqësues të punëtorëve dhe qeveria, në mënyrë që të dialogohen këto çështje dhe të gjenden zgjidhje”, theksoi Hoti.
Hoti shprehet se Kosova është shndërruar në një vend me probleme të sigurisë, duke përmendur sanksionet e BE-së dhe mungesën e investitorëve të jashtëm.
“Jemi vendi i vetëm në Evropë që jemi nën sanksione nga BE për shkak të veprimeve të gabuara të vazhdueshme të kësaj qeverie. Imazhin që këto sanksione çojnë te partnerët tanë, tek investitorët e jashtëm, është shumë negativ. Po bëhen katër vjet që pothuajse nuk kemi asnjë investitor të madh serioz të jashtëm që bënë investime në Kosovë”.