Connect with us

Kosova

Hovenier për Asociacionin: S’është krahinë autonome brenda Kosovës

Për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, drafti i pranuar nga Kosova për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe “përputhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, dhe se “nuk krijon autoritete ekzekutive apo kompetenca për Asociacionin”.

Hovenier i ka thënë gazetares Ilva Tare, se nuk ka kohë për të humbur për zbatimin e Asociacionit, teksa ka lexuar mes rreshtave deklaratën e Presidentit të Francës, Kryeministres të Italisë dhe Kancelarit të Gjermanisë, pas takimeve që patën me kryeministrin Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ku përdorën fjalë si “urgjente, e shpejtë”.

Çfarë po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia ndërkombëtarët? Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas. Ky ishte mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia të premten e 27 tetorit.

Këtë e bënë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel.

Në fakt, kjo çfarë po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova liderët evropianë është diçka që vetë Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar, fillimisht në Bruksel, më 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për atë që tashmë njihet si Marrëveshja Bazë.

Advertisement