Kosova
‘Hrvatski Jutarnji list’ për grushtin ndaj Vuçiçit
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka përjetuar tronditje nga seanca e Këshillit të Sigurimit kushtuar marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Përkatësisht atje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan ekstradimin e të gjithë të dyshuarve për terrorizëm në aferën Banjska, përkatësisht në konfliktin mes grupeve paramilitare serbe dhe forcave policore të Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator, që është një goditje e ftohtë për Vuçiçin.
‘Hrvatski Jutarnji list’ kujton se pati një konfrontim mes policisë së Kosovës dhe terroristëve, ku mbetën të vrarë një polic dhe katër sulmues kurse një nga politikanët kryesorë serbë nga Kosova, nënkryetari i partisë serbe të Kosovës, Listës Serbe dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Aleksandër Vuçiçit, Milan Radoiçiç, ka pranuar përfshirjen e tij në organizimin e sulmit.
“SHBA e ka dënuar sulmin, se ai ishte një akt që rrezikoi jetën e qytetarëve të Kosovës dhe se duhet të ketë përgjegjësi të plotë të bazuar në ligj” – ka deklaruar në Këshillin e Sigurimit, Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i SHBA në OKB Robert Wood.
“Ky është një kërcënim shumë serioz dhe një tregues se SHBA-të nuk e konsiderojnë incidentin në Manastirin e Banjskës vetëm si akt terrorist, por edhe se përgjegjëse për të është Serbia, e cila, për ta thënë më butë, e ka vënë Vuçiçin në një situatë të sikletshme. Presidenti serb padyshim ka gjithnjë e më pak hapësirë për manovrim dhe Brukseli dalëngadalë po e humb durimin me lëvizjet e tij” – shkruan ‘Jutarnji list’.
Po ashtu, autori i rezolutës së fundit të miratuar për konfliktin në Banjskë, deputeti kroat Tonino Picula, në një intervistë për portalin nova.rs tha se “Nëse Milan Radoiçiq nuk ekstradohet në Prishtinë, kjo do të komplikojë marrëdhëniet tashmë të vështira mes Serbisë dhe Kosovës. Po ashtu, reagimet e mundshme të bashkësisë ndërkombëtare mund të rezultojnë në veprime edhe më të rrepta politike dhe diplomatike ndaj Serbisë”
Brukseli fton Beogradin që të bashkëpunojë në hetimin e Banjskës dhe Picula thotë se “Serbisë nuk i interesojnë këto apele”, gjë që mbështetet nga fakti se nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë, megjithëse në këtë ka pasur presion shumë më të fortë nga BE-ja.
“Përsa i përket bashkëpunimit të Serbisë, është e vështirë të konfirmohet me siguri absolute përfshirja e saj në zgjidhjen e konflikteve dhe kur Serbia bashkëpunon, shpesh e bën këtë me një thikë në xhep. Kur ky incident erdhi në axhendën e Parlamentit Evropian, më shumë se 90 për qind e deputetëve e dënuan incidenti” – theksoi Picula.
Aq më tepër që në të njëjtën kohë Serbia qortohet se nuk ka vendosur ende sanksione ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, të cilin ajo ende e toleron, gjoja për të “ndarë Vuçiçin nga aleanca me Putinin”.
Prandaj Tonino Picula thotë se “është e rëndësishme të theksohet se Parlamenti Evropian tashmë disa herë ka shprehur shqetësim të thellë për situatën në Kosovë dhe lëvizjet e autoriteteve serbe, veçanërisht për marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë dhe Kinën.