Bota
Human Rights Watch: Mos e trajtoni Ballkanin si vendgrumbullim për emigrantët

Organizata Human Rights Watch, HRW ka paralajmëruar BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar se duhet të ndalojnë së trajtuari Ballkanin si një depo për emigrantët dhe të rishqyrtojnë planet e tyre për vendet e treta për të dërguar atje azilkërkuesit.
“Në vend që ta trajtojnë Ballkanin si një vendgrumbullim për emigrantët, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar mund të luajnë një rol të rëndësishëm duke mbështetur zhvillimin e sistemeve funksionale të azilit”, tha sot Human Rights Watch, duke u përqendruar veçanërisht në situatën në Bosnjë.
Më tej HRW thekson se komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndihmojë këtë vend të përmirësojë atë që është tashmë në fuqi për të mbrojtur azilkërkuesit dhe migrantët, jo ta inkurajojë atë të marrë masa që vetëm sa do t’i përkeqësojnë gjërat.
Sipas tyre shtimi i azilkërkuesve, të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar ose ndoshta nga Bashkimi Evropian, në sistemin tashmë problematik të paraburgimit të Bosnjës vetëm sa do të përkeqësonte problemet ekzistuese dhe do të përkeqësonte rreziqet e abuzimit”.
OJQ-ja kujton se në vitin 2023, Bosnja u njohu statusin e refugjatit vetëm katër personave – nga 147 aplikime. Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, i cituar në njoftim, edhe pse ligji i azilit i vendit parashikon shqyrtimin e aplikimeve brenda gjashtë muajve, shpesh duhen gjashtë muaj vetëm për një intervistë fillestare dhe deri në 344 ditë për një vendim.

