Aktualitet
Humbi gruan nga Covidi: Më ka vrarë shumë, fle me televizorin ndezur se nuk dua të jem vetëm
Aktori i njohur, Muharrem Hoxha ka bërë një rrëfim për jetën dhe karrierën e tij. Ai ka treguar miqësinë e ngushtë me të madhin Fadil Hasa.
“Unë kam lindur në Tiranë në lagjen dibrane. Jam 73 vjeç. Unë kam kujtime të mëdha me Fadil Hasën. Ai më ka rritur. E kam njohur, sapo mbarova ushtrinë. Puna jonë po nuk pate një të të shtyjë, nuk bën dot para. Unë kam ndërruar 8 ndërmarrje, ku shkonte Fadili, shkoja dhe unë. Shkoja me Fadilin, se nuk më fusnin profesionist.
Unë me gruan, jam njohur me shkesë. Shkesi ishte halla ime. I kam pasur të gjithë me humor, si hallën dhe babin. Dy xhajet dhe hallën i kam pasur të internuar. Kjo më ndikoi shumë, pasi nga 7 ndërmarrje, asnjëra nuk më merrte në punë. Prandaj, më merrte Fadili me vete kudo”, rrëfeu Muharrem Hoxha në një intervistë televizive.
Gjatë rrëfimit të tij, Muharrem Hoxha me lot në sy ka folur për ndarjen nga jeta të bashkëshortes së tij dhe se si po e përjeton tani.
“Kam qenë në Pogradec kur ra pandemia. Atje kam jetuar për tre vite, lëvizja herë pas here, por karantina më zuri atje. Bashkëshortja ndërroi jetë nga Covidi. Muajin tjetër bën tre vjet. Më ka vrarë jashtë mase. Mbas fëmijëve në këtë moshë, ajo nuk zëvendësohet kurrë. Fle me televizor ndezur se nuk dua të jem vetëm. Shoh vetëm sport dhe filma. Kam qenë keq, me psikolog. Shkoja shpesh në Pogradec, sepse çdo gjë në shtëpi ishte me dorën e saj dhe doja të dilja, të ndërroja ambient”, u shpreh i përlotur aktori.