Politike
Humbja e PD më 11 maj, Luan Baçi e thotë troç: Përgjegjësia bie mbi…

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në studion e News24, komentoi zhvillimet e fundit politike, në ditën kur parlamenti iu rikthye punimeve pas një ndërprerjeje dy mujore për shkak të zgjedhjeve të 11 majit.
Gjatë intervistës, Baçi u ndal te rezultati i dobët i PD-së në qarkun e Fierit, duke pranuar përgjegjësinë për performancën e partisë në këtë zonë dhe duke kërkuar reflektim të brendshëm.
“Lista e mbyllur e PD ishte një përzgjedhje që u bazua te vota e anëtarësisë, përmes procesit të primareve, duke marrë parasysh përfaqësimin gjeografik dhe karakteristikat e çdo zone. Kishte një logjikë të brendshme për mënyrën si u ndërtua. Por është e vërtetë që shumë kandidatë të listës së hapur, që ishin të shumëvotuar, janë dëmtuar për shkak të manipulimeve – votat e tyre janë vjedhur”, tha Baçi.
Deputeti demokrat shtoi se ndonëse lista ishte rezultat i një procesi demokratik të brendshëm, ajo nuk arriti të përfaqësonte sa duhet vullnetin e elektoratit për shkak të parregullsive zgjedhore. “Çdokush që ishte pjesë e asaj fushate, si në listën e mbyllur ashtu edhe në të hapur, ka përgjegjësinë e vet për rezultatin. Personalisht ndihem keq dhe përgjegjës për atë që ndodhi në Fier,” theksoi ai.
Baçi nënvizoi se PD duhet të hyjë në një fazë të re reflektimi dhe reformimi pas kësaj humbjeje. “Kjo është një periudhë që do të marrë kohën e vet për të bërë analizën e duhur. Duhet të gjejmë arsyet e brendshme që ndikuan në këtë rezultat, dhe të ndihmojmë në rindërtimin e partisë mbi baza më të forta e më të drejta,” përfundoi ai.

