Politike
Humbja e thellë në zgjedhje/ Luçiano Boçi paralajmëron: Nuk ishte faji ynë, lufta e PD për votën do të vijojë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, është shprehur se mos-arritja e suksesit nga ana e PD-së në zgjedhjet e 11 majit, erdhi si pasojë e asgjësimit të zgjedhjeve nga qeveria ‘Rama’.
Komentet Boçi i bëri në një intervistë, ku tha se lufta e opozitës për rikthimin e votës së lirë për shqiptarët do të vijojë.
Ai shtoi se pavarësisht protestave dhe denoncimeve të vazhdueshme të Partisë Demokratike, procesi zgjedhor në 2025 jo vetëm që nuk u përmirësua, por sipas tij, u shkatërrua plotësisht.
“Ne përfaqësojmë PD-në dhe rezultati matet në tërësinë e tij. PD nuk ka mundur të arrijë sukses, jo për faj të saj, por për shkak të asgjësimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Ky është problemi kryesor mbi të cilin duhet të ndërtohet ligjërimi mediatik dhe politik. Procesi zgjedhor u shkatërrua në 2023 dhe në 2025 u shkatërrua plotësisht.
Lufta në PD ka qenë, vijon dhe do të vijojë. Kemi qenë në protesta të vazhdueshme për qeveri teknike, hyjmë në zgjedhje, sepse një parti politike nuk mund të dalë jashtë sistemit dhe jemi në luftë për votën. Jemi në luftë për zgjedhje, për të realizuar zgjedhje të lira.
Pra nuk jemi thjesht për fitoren e PD-së. Pra e tillë ishte lufta jonë edhe kur kërkonim qeveri teknike. Ne nuk jemi stopuar në atë pjesën e kërkesave tona se ç’ka kemi kërkuar para zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve dhe ç’ka po kërkojmë tani”, tha mes të tjerash Boçi.

