Connect with us

Sport

Humbja ndaj Real Madrid-it, Guardiola: Nuk gjej dot një zgjidhje

Manchester City pësoi një tjetër disfatë në ndeshjen e parë të play-off-it të Champions League kundër Real Madrid-it. Në një natë në të cilën lojtarët e Pep Guardiola-s kaluan dy herë në epërsi, të bardhët përmbysën në minutat e fundit, diçka që e “çmendi” trajnerin katalanas.

Trajneri i Manchester City-t tha se kjo është “ndeshja më e mirë që ka luajtur Real Madrid-i dhe Carlo Ancelotti” kundër tij.

“Qytetarët” janë zhytur në një krizë të thellë sportive: Të pestët në Premier League dhe një hap larg një eliminimi të hershëm në Champions League.

Megjithatë, Guardiola “shpreson dhe do të përpiqet” të dalë nga gropa ku ekipi është zhytur.

Me përgjigje të shkurtra dhe të tensionuara, Guardiola nuk ka dashur ta analizojë në thellësi ndeshjen: “Prisnim që ata të luanin kështu, i pashë në ‘Anfield’ dhe madje edhe duke humbur… Nuk kam asgjë për të qortuar skuadrën time sepse e di se me çfarë skuadre po luajmë”.

“Ka ndodhur shumë herë sepse nuk mund ta gjej zgjidhjen. Ishte viti që Real Madrid-i ishte në maksimumin e tij, ne patëm një rezultat të mirë dhe e lamë të ikë”, shpjegoi trajneri në lidhje me duelet e vështira ndaj rivalit të tij të përjetshëm.

Trajneri iu shmang plotësisht pyetjeve për banderolën e diskutueshme kundër Vinicius-it.

“Unë nuk e kam parë banderolën, kam qenë brenda kur e kanë nxjerrë dhe nuk më kanë thënë, nuk e kam parë. Vinicius është një lojtar i jashtëzakonshëm”, tha ai.

Sa i përket ndeshjes së kthimit, ai vetëm la të kuptohet se “do të mundohemi të rikthehemi, do të shohim se çfarë ka ndodhur dhe cilët lojtarë janë të freskët”.

Menjëherë më pas, gati duke ndërprerë një nga pyetjet nga shtypi, Guardiola u ngrit në këmbë dhe u largua nga konferenca për shtyp pa thënë asnjë fjalë.

Advertisement