Aktualitet
Hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID në Mal të Zi, kushtet për të kaluar në kufi
Nga sot hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID të vendosura nga autoritetet shëndetësore të Malit të Zi.
Para se të niseni drejt vendit fqinj duhet të keni parasysh që për të kaluar kufirin duhet të jeni të pajisur me certifikatë vaksinimi të plotë me numrin e duhur të dozave dhe që nga doza e dytë nuk duhen të kenë kaluar më shumë se gjashtë muaj.
Po ashtu, lejohet kalimi në kufi nëse keni vërtetim që e keni kaluar Covid-19, jo më pak se 10 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë nga testi pozitiv.
Në të dyja rastet e mësipërme qytetarët duhet të kenë patjetër ose testin negativ PCR jo më të vjetër se 72 orë, ose testin e shpejtë Antigen jo më të vjetër se 48 orë.
Kjo do të thotë që nuk është më e mundur hyrja në Mal të Zi vetëm me test negativ.
Masat shtrënguese në Mal të Zi erdhën pas rritjes së rasteve me COVID. Vendi fqinj ka vendosur po ashtu masa të reja në lidhje me hotelet dhe restorantet, ku qytetarët duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit për tu futur.