Connect with us

Aktualitet

I akuzuar për vrasjen e 27-vjeçarit/ Dënohet me burgim të përjetshëm, anëtari i Hellbanianz, “Skilla”

Sabajet Shuti, 31 vjeç, anëtari i grupit ‘Hellbanianz’ i njohur me pseudonimin “Skilla”, është dënuar me burgim të përjetshëm nga autoritetet britanike. Ai është shpallur fajtor nën akuzën e vrasjes së 27-vjeçarit Lumturi Zeqja. Sabajet Shuti me banim në Upney Lane, do të vuajë një minimum prej 27 vjetësh pas një seance dëgjimore në Gjykatën e Kurorës në Southwark që u mbajt më 27 qershor.

Vëllai i Shutit, Emirlion Shuti, 30 vjeç (13.12.1994) nga Blake Avenue, Barking, u shpall fajtor për përleshje. Ai mori një dënim me 20 muaj burg. Gjykata dëgjoi se edhe rrëfimin e Sabajet Shutit, i cili tregoi se si nisi sulmin fatal mbrëmjen e 16 tetorit 2022 në Church Lane, Leytonstone.

Dënohet me burgim të përjetshëm, anëtari i Hellbanianz,

Emirlion Shuti

Lumturi Zeqja po qëndronte jashtë një kafeneje me mikun e tij kur vëllezërit Shuti mbërritën rreth orës 22:40 me dy makina. Vëllezërit shkuan në një kafene tjetër, por pak më vonë Emirlion Shuti u kthye në njërën nga makinat dhe filloi ta ngiste atë në mënyrë të çrregullt përgjatë rrugës, duke e ndezur motorin dhe duke shkaktuar rrëmujë.

Dënohet me burgim të përjetshëm, anëtari i Hellbanianz,

Lumturi Zeqja

Shoku i Zeqjas iu afrua Emirlionit dhe i tha të ndalonte, por në vend që ta bënte këtë, Emirlioni doli nga makina dhe foli me vëllain e tij dhe të tjerët që ishin jashtë kafenesë. Situata u përshkallëzua shpejt pasi Emirlion Shuti e goditi me grusht shokun e Zeqjas. Gjatë grindjes që pasoi, Sabajet Shuti nxori një thikë dhe e goditi dy herë Zeqjan dhe shokun e tij një herë.

Të dy vëllezërit Shuti ikën nga vendi i ngjarjes duke e lënë të riun të rrëzuar dhe të vdekur në trotuar. Shërbimet e urgjencës mbërritën, por pavarësisht përpjekjeve të tyre nuk mundën ta shpëtonin. Shoku i tij u dërgua në spital për një ndërhyrje kirurgjikale urgjente dhe për fat të mirë i mbijetoi sulmit.

Detektivët filluan të mblidhnin prova dhe nga qasja në pamjet e kamerave të sigurisë dhe telefonave celularë arritën të identifikonin se kush ishte përgjegjës.

Një ditë pas vrasjes, Sabajet Shuti bëri plane për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar. Ai ndryshoi pamjen e tij duke rruar mjekrën dhe më pas udhëtoi për në Folkestone përpara se të kalonte Kanalin në Francë. U lëshua një urdhër arresti për të dhe rreth një vit pas sulmit, më 3 tetor 2023, Sabajet Shuti u arrestua në Suedi. Ai u ekstradua përsëri në Mbretërinë e Bashkuar për t’u përballur me pasojat e veprimeve të tij.

Gjatë periudhës ndërmjetëse, detektivët kishin arrestuar dhe akuzuar Emirlion Shuti-n për rolin e tij në sulm. Inspektori detektiv Brett Hagen, i cili drejtoi hetimin, tha: Sabajet Shuti bëri çmos për t’iu shmangur drejtësisë, duke u larguar nga vendi dhe duke ndryshuar rregullisht vendndodhjen në një përpjekje për të shmangur arrestimin..

“Niveli i dhunës që përdori Sabejet Shuti ishte krejtësisht i panevojshëm – ai doli atë natë i armatosur me një thikë, kështu që kishte qëllim të qartë për t’i shkaktuar dikujt dëm të konsiderueshëm nëse do t’i jepej mundësia.”

“Veprimet e tij i kushtuan jetën Lumturi Zeqjas dhe u kanë shkaktuar dhimbje të patreguar familjes dhe miqve të tij. Ndërsa asgjë që mund të them nuk mund t’ua lehtësojë vuajtjet, shpresoj se ata mund të gjejnë sadopak ngushëllim duke parë vëllezërit Shuti të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre,”- përfundoi ai.

Advertisement