Politike
‘I bëj thirrje urgjente Prokurorisë të veprojë’/ Bardhi reagon pas mesazheve kërcënuese të biznesmenit ndaj gazetarit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kërcënimeve që ka marrë gazetari Almer Toska nga biznesmeni Juljan Morina.
Në një postim publik në Facebook, Bardhi dënon fuqishëm kërcënimet dhe i bën thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet për këtë rast, duke vënë theksin te mbrojtja e gazetarëve dhe lirisë së medias në vend. Ai shton më tej se heshtja institucionale në raste të tilla përbën një rrezik serioz për fjalën e lirë dhe demokracinë.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Një shtet që lejon kërcënimet mafioze ndaj një gazetari për shkak të punës së tij nuk është as më shumë dhe as më pak por një shtet mafioz! Dënoj me forcën më të madhe kanosjen e drejtpërdrejtë ndaj gazetarit Almer Toska.
I bëj thirrje urgjente prokurorisë të veprojë në mbrojtje të të drejtave të gazetarëve, duke dënuar me forcë këtë akt dhe çdo akt që synon të shuajë zërin e tyre. Gazetarët duhet të ndihen të lirë në punën e tyre dhe askush nuk mund të guxojë t’i shantazhojë apo kërcënojë.

