Aktualitet
I dënuar më parë për dhunë në familje dhe dhunoi babain e tij të moshuar, arrestohet 29-vjeçari
Policia ka arrestuar një 29-vjeçar në qytetin e Laçit. Ai u arrestua nga forcat blu, pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, 66-vjeçar dhe ishte larguar nga banesa.
29-vjeçari, banues në Laç rezulton i dënuar më parë për dhunë në familje. Gjatë kontrollit në banesën polica gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike, të dyshuar kanabis, rreth 105 gramë. Policia po heton më shumë mbi rastin.
Njoftimi i policisë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, pas njoftimit të marrë për një rast dhune në familje në qytetin e Laçit, menjëherë shkuan në adresën e dhënë dhe nisën veprimet e para hetimore. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi R. Gj., 29 vjeç, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij, K. Gj., 66 vjeç, dhe ishte larguar nga banesa. Nisur nga veprimet e dhunshme dhe rrezikshmëria që paraqiste ky shtetas, u kërkua ndihma e Forcës Kombëtare të Sigurisë për kapjen e tij.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, pas disa orësh kërkimesh të pandërprera, në kuadër të operacionit policor të koduar “Violent”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin R. Gj., 29 vjeç, banues në Laç, Kurbin, i dënuar më parë për dhunë në familje. Gjatë kontrollit në banesën ku ky shtetas fshihej, në Zejmen, Lezhë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike, të dyshuar kanabis, rreth 105 gramë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Lezhë, për veprime të mëtejshme.