Connect with us

Aktualitet

I dënuar përjetë për “Masakrën e Lushnjës”, Laert Haxhiu kërkon lirinë

Avokati i Laert Haxhiut, Detar Hysi, kërkoi sot në Apelin e GJKKO riçeljen e shqyrtimit gjyqësor, pasi sipas tij SPAK nuk ka bërë veprime hetimore.

“Prokuroria nuk ka kryer asnjë veprim hetimor. Kjo vlen edhe për prokuroren e posaçme, që ka kryer 0 veprim hetimor, në akuzën qe vlerësohet në këtë proces. Ka kryer vetëm 3 veprime procedurale jo të karakterit hetimor.

E kërkova fjalën per të orientuar gjykatën, përpara se të veprojë mbi kërkesën tonë. Është rasti i parë në historikun e kësaj godine, që ngrihet akuzë pa bërë veprim hetimor. Kërkoj caktimin e një eksperti të fushës përkatëse. Të ekspertojë pamjet filmike të karburantit, të përcaktojë nëse është Laert Haxhiu në automjet ose jo.

Të bëhet një akt ekspertimi nga një ekspert me qëllim zbardhjen e të vërtetës. Qëllimi i bërjes së aktit të ekspertimit është zbulimi i të vërtetës, nëse personat që shfaqen në pamjet filmike të karburantit jane Laert Haxhiu dhe Bilbili”, tha Hysi.

Laert Haxhiu, i dënuari me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë për “Masakrën e Lushnjës” tha në sallën e gjyqit se po dënohet pa fakte dhe prova.

“Po dënohem pa të drejte dhe pa fakt. Jam dakord me kërkesën e avokatit”, tha Haxhiu.

Nga ana e saj, prokurorja e çështjes Doloreza Musabelli hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes për përseritjen e shqyrtimit gjyqësor, pasi siç tha gjatë procesit gjyqësor janë pyetur dëshmitarë lidhur me pamjet filmike që janë pasqyruar në proces.

Edhe prokurori tjetër Altin Dumani hodhi poshtë pretendimet se gjatë shqyrtimit gjyqësor ne shkallë të parë nuk janë pranuar provat e kërkuara nga mbrojtja.

“Këto pamje nuk janë një provë e vetme. Palët, prokuroria dhe avokati nën drejtimin e gjykatës kanë pasur mundësinë të dëgjojnë edhe dëshmitarët. Nuk është e vërtetë që gjatë shqyrtimit gjyqësor ne shkallë të parë nuk janë pranuar provat e kërkuara nga mbrojtja”, tha Dumani.

Në përfundim gjykata hodhi poshtë kërkesë për riçeljen e shqyrtimit gjyqësor.

Advertisement