Aktualitet
‘I ke kopila’/ Rrëfimi tronditës i gruas: Një fëmijë ma vrau burri
Shaqe Balliu e cila ka tre fëmijë, ka rrëfyer historinë e saj të dhimbshme, se si dhunohej nga bashkëshorti. Nga keqtrajtimet ajo ka humbur edhe një vajzë, për të cilën bashkëshorti i saj nuk mban asnjë përgjegjësi. Shaqja ka treguar vështirësitë që ka hasur ndër vite në “Real People” në “Euronews Albania”.
Ajo tha se i shoqi, i cili tashmë është në burg duke vuajtur dënimin, e ka sharë gjithë kohës, ndërsa e akuzonte për marrëdhënie jashtëmartesore.
“Një fëmijë ma ka vrarë ai, një vajzë. Ma vrau duke më rrahur, s’më duhen kopilat e tu tha, unë isha shtatzënë. Ngela pa dashje shtatzënë më atë vajzë, kam qenë 7 muajshe. Bëra tre fëmijë me të, se mos ta afroja. Ai ishte pijanec, më thoshte i ke kopila, ke dashnor”, u shpreh Shaqja.
Pasi e dhunonte çdo natë në orët e vona kur kthehej në shtëpi, ai i thyente dhe telefonin në mënyrë që ajo të mos komunikonte me policinë. Kjo është hera e tretë që burri i Shaqes po vuan dënimin për “dhunë në familje”.
Ajo refuzon kthimin me bashkëshortin dhunues. Madje më mirë preferon të dalë nga shtëpia, ndonëse nuk ka asnjë vend ku të qëndrojë.