Kronike
I kthyer në ‘tmerrin’ e shoferëve, arrestohet 14 vjeçari dhe dy shokët e tij për vjedhjen e makinave
Një 14-vjeçar dhe dy të mitur të tjerë janë arrestuar sot nga Policia e Fierit si të dyshuar për vjedhjen e katër makinave. 14-vjeçari i cili për momentin ende nuk është identifikuar, dyshohet se brenda muajve Gusht-Shtator ka vjedhur automjetet. I mituri është kapur në flagrancë gjatë vjedhjes së një automjeti në lagjen “11 Janari”. Policia ka sekuestruar katër automjetet e vjedhura.
Sipas policisë i riu e ka kryer veprën penale i ndihmuar dhe nga dy shokët e tij të mitur. Pritet identifikimi të arrestuarve dhe zbardhja e rrethanave të veprës penale.
Njoftimi i Policisë:
U kap në flagrancë teksa largohej me një automjet që sapo kishte vjedhur, ndalohet 14-vjeçari.Nga hetimet rezultoi se 14-vjeçari dhe 2 të mitur të tjerë, gjatë këtyre 2 muajve, kanë vjedhur dhe 3 automjete. Sekuestrohen 4 automjetet e vjedhura. Sapo janë njoftuar për vjedhjen e një automjeti, në lagjen “11-janari”, punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Fier kanë ndërhyrë dhe kanë bërë të mundur ndalimin e autorit të këtij rasti, një 14-vjeçar, i cili u kap në flagrancë, ndërkohë që po largohej me automjetin që kishte vjedhur.
Në vijim, nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të mitur të tjerë (të proceduar penalisht më parë, në gjendje të lirë), ka vjedhur gjatë periudhës gusht-shtator 2023, dhe 3 automjete. Me cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 automjetet e vjedhura. Veprimet procedurale me 14-vjeçarin janë kryer në prani të avokatit, psikologut, punonjëses së NJMF-së dhe kujdestarit ligjor të 14-vjeçarit. Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta të mitur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.