Aktualitet
‘I linte me gisht në GOJË komunistët’/ Macron fjalë të ndjera ndaj Kadares
Presidenti francez, Emanuel Macron, ka publikuar një mesazh ngushëllimi me rastin e ndarjes nga jeta të kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.
Presidenti francez, vlerëson krijimtarinë e pashoq të shkrimtarit të madh Ismail Kadare duke shtuar se Franca ishte vendi që i hapi dyert Kadaresë duke i dhënë azil pasi ai u largua nga regjimi diktatorial në fillim të 1990.
Macron thekson se Kadare me veprat e tij i tregoi botës për regjimin e Enver Hoxhës në Shqipëri, ndërsa shton se shkrimtari jetoi dhe krijoi si i lirë, pavarësisht se vendi nuk ishte i tillë.
Ja teksti i plotë:
Vdekja e shkrimtarit franko-shqiptar Ismail Kadaré
Publikuar më 1 korrik 2024
Sot vdiq një shkrimtar që mishëroi, me jetën, me veprën dhe me personalitetin e tij, pasurimin e dialogut, forcën e shpirtit europian dhe vokacionin mikpritës të Francës. Shkrimtari franko-shqiptar Ismail Kadare u largua nga ne këtë të hënë.
Ai ishte një nga ata për të cilët shkrimi është një luftë, një nga ata të cilët çdo fjalë ia shkëpusin heshtjes, nga ata që çdo rresht u rrezikon një gjobë më të rëndë, ata që çdo roman kërcënon të jetë epitafi i karrierës së tyre.
Sepse ai jetoi dhe krijoi si njeri i lirë në një vend që nuk ishte i tillë: Shqipëria komuniste e pasluftës nën zgjedhën e hekurt të Enver Hoxhës.
Por zbulimi i letërsisë i hapi adoleshentit brigjet e një bote të re. Duke lexuar Servantesin, Homerin dhe Gogolin, ai ndërtoi rezistencën e tij intelektuale. Aq sa i rrëshqiti indoktrinimit të profesorëve të letërsisë, në Universitetin e Tiranës si edhe në Institutin Gorki në Moskë, tempullin e letërsisë zyrtare. Në vend që të shtonte radhët e “trupës elitare të realizmit socialist”, siç quhej, ai u bashkua me luftëtarët e rezistencës së stilit të lirisë. Romani i tij madhështor i vitit 1963 “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u tolerua, sepse tema e tij ishte shqetësuese, onirizmi i tij i bishtnonte etiketave komuniste: Zhvarrosja e ushtarëve nga Lufta e Dytë Botërore përpara një prifti dhe një ushtari italian, nën një shi shqiptar që nuk rresht së rëni. Nga ana tjetër, “Përbindëshi” në vitin 1965 dhe “Dimri i vetmisë së madhe” në 1973, e bënë paria, sepse denoncoi shtypjen intelektuale të Tiranës së asokohe. Dy herë i akuzuar për nxitje rebelimi, ai iu nënshtrua një periudhe pune krahu, thellë në fshat, të cilën e rrëfeu në vijim.
Pas “Pallatit të Ëndrrave” në vitin 1981, ra sëpata: “Armik i popullit”. I ndaluar për publikim, ai vendosi të kërkojë azil politik. Kështu ai iu drejtua vendit që kishte qenë i pari që përktheu librat e tij, i pari që u pasionua për veprën e tij përtej kufijve. Me botuesin e tij Claude Durand, kreun e Éditions Fayard, ai planifikoi një arratisje të madhe në Francë në vitin 1990, një tjetër goditje në murin e diktaturës: Në Tiranë, largimi i tij çoi në protestat e para studentore në më shumë se dyzet vjet.
Që atëherë, nga kryeqyteti i Francës në atë të një Shqipërie të kthyer në demokraci dhe më në fund të rikthyer në vetvete, ai e ndau ekzistencën e tij mes fjalëve dhe gjërave, njerëzve dhe vendeve. Nga shëtitjet e tij në Tiranën e rizbuluar, nga kjo tryezë në kafe Rostand ku çdo mëngjes vendoste fletoren dhe stilolapsin, lindën tekste të përjetshme, në udhëkryqet e miteve dhe botëve, nga imagjinata e piramidës së Keopsit në atë të Tiranës, mes kangjellave të kopshtit të Luksemburgut, brigjeve të Cornwall dhe mureve të Trojës. Ata vazhdimisht na kujtojnë se si Europa është kontinenti i të përbashktës, se si historia e saj është një histori e bashkëndarë.
Presidenti i Republikës përshëndet një shpirt të lirë, i cili mori pjesë në këtë zgjim të madh të popujve që ngriti Perden e Hekurt dhe e nderoi Francën duke e marrë si strehë të krijimtarisë së tij. Ai u drejton të dashurve të tij, lexuesve të tij dhe popullit shqiptar, ngushëllimet e tij të ndjera.