Bota
I mbijetoi dy Luftërave Botërore dhe pandemisë së Covid-19, vdes në moshën 117-vjeçare gruaja më e vjetër në botë
Gruaja më e vjetër në botë, Maria Branyas Morera e Spanjës, e cila lindi në SHBA në vitin 1907 dhe jetoi gjatë dy pandemive dhe dy Luftërave Botërore, ka vdekur në moshën 117-vjeçare.
“Maria Branyas na ka lënë. Ajo vdiq siç deshi: në gjumë, e qetë dhe pa dhimbje. Ne do ta kujtojmë gjithmonë për këshillat dhe mirësinë e saj”, shkruan familja e saj me anë të një postimi në X.
Branyas, e cila kishte jetuar për dy dekadat e fundit në shtëpinë e të moshuarve Santa Maria del Tura në qytetin Olot në Spanjën verilindore, kishte thënë në një postim se ndihej e dobët. “Koha është afër. Mos qani, nuk më pëlqejnë lotët. Dhe mbi të gjitha mos vuani për mua. Kudo që të shkoj do të jem e lumtur”, ka thënë ajo në postimin në llogarinë e saj, e cila drejtohet nga familja e saj.
Rekordet Botërore të Guinness-it e kishin pranuar zyrtarisht statusin e Branyas si personi më i vjetër në botë në janar 2023 pas vdekjes, në moshën 118-vjeçare, të murgeshës franceze Lucile Randon.
Branyas, e cila jetoi gripin e vitit 1918, Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore dhe Luftën Civile të Spanjës, u infektua me Covid-19 në vitin 2020, vetëm disa javë pas ditëlindjes së saj të 113-të.
Vajza e saj më e vogël, Rosa Moret, dikur ia atribuoi jetëgjatësinë e nënës së saj gjenetikës. “Ajo nuk ka shkuar kurrë në spital, ajo kurrë nuk ka thyer asnjë kockë, është mirë, nuk ka dhimbje”, tha Moret për televizionin rajonal katalanas në vitin 2023.
Branyas i tha Guinness World Records se ajo besonte se jetëgjatësia e saj buronte nga rendi, qetësia, lidhja e mirë me familjen dhe miqtë, kontakti me natyrën, stabiliteti emocional, pa shqetësime, pa keqardhje, shumë pozitivitet dhe qëndrimi larg njerëzve toksikë.
Personi më i vjetër i gjallë tani është Tomiko Itooka i Japonisë, i cili ka lindur më 23 maj 1908 dhe është 116 vjeç, sipas Grupit Kërkimor të Gerontologjisë në SHBA .