Aktualitet
I nxehti/ Riaktivizohet zjarri në pyllin me pisha në Peshtan të Fierit
Temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë riaktivizuar zjarrin në pyllin me pisha në Peshtan të Fierit, ndërsa tre zjarrfikëse ndodhen në terren. Nga zjarri i djeshëm kishte mbetur një vatër zjarri e cila është riaktivizuar, duke shkaktuar vatra të tjera zjarri. Për shkak të terrenit të vështirë, automjetet nuk shkojnë dot deri afër vatrave të zjarrit dhe punonjësit po shuajnë zjarrin me pompa uji në shpinë dhe mjete rrethanore, kazma e lopata. Drejtori i zjarrfikësve të bashkisë Fier, Zija Hyka, është shprehur se situata është shumë e vështirë. Ai ka njoftuar se në terren ndodhen tre grupe zjarrfikëse, si dhe kërkohen përforcime nga repartet e zjarrfikësve të Patosit.
“Tre grupe zjarrfikëse janë në terren. Po ashtu kërkohen përforcime nga repartet e zjarrfikësve të Patosit. Zjarri po përhapet me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë, dhe rrezikon që flakët të dalin në rrugën e vjetër rurale Fier-Cakran, në vëndin e quajtur “Qafa e Shkozës”. Fillimisht priten ndihma nga kolegët e Patosit, por nëse situata vazhdon e njëjtë, do kërkohet ndihmë nga helikopteri si një ditë më pare”, tha ai.