Aktualitet
I përfshirë në vrasjen e Edmond Papës, ja kush është biznesmeni që i bënë atentat
Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i regjistruar ndaj biznesmenit 51-vjeçar Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi në limanin e Lakkas, në ishullin Paxos të Greqisë. Mësohet se ky i fundit kishte shkuar aty për pushime me familjen.
Ndaj tij është zbrazur breshëri plumbash, duke e lënë të plagosur në gjendje të rëndë. Në vendin e ngjarjes, autoritetet policore greke kanë gjetur 14 gëzhoja pistolete. Policia greke dyshon se bëhet fjalë për një atentat për larje hesapesh dhe dyshon se atentatori është një shqiptar i ardhur nga Italia.
Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi është transportuar fillimisht drejt urgjencës për ndihëm e parë e më pas drejt Igumenicës për mjekim te specializuar. Për shkak të gjendjes mjaft të rëndë shëndetësore, Kalemi është transportuar më pas në spitalin e Janinës.
Burime bëjnë me dije se Andrea (Adriatik) Kalemi kishte kaluar më 5 gusht nga pika kufitare e Kakavijës bashkë me gruan dhe 3 fëmijët, ndërkohë që rezulton person me precedentë të theksuara penale.
Policia thotë se ngjarja mund të jetë larje hesapesh për borxhe të vjetra mes autorit dhe viktimës, ose edhe pista e hakmarrjes. Situata pritet të sqarohet nëse bëhet i mundur arrestimi i autorit ose pas dëshmisë së të plagosurit.
Andrea (Adriatik) Kalemi dyshohet se është i implikuar në vrasjen e Edmond Papës, i vrarë në muajin dhjetor në zonën e Selitës në Tiranë. Për vrasjen e Papës u arrestua shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo dhe është në kërkim shoku tjetër Andreë Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.
Po ashtu, në vitin 2001 ai rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017 ai është arrestuar në Tiranë sëbashku me 2 persona të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital
Gjithashtu, mësohet se Andrea (Adriatik) Kalemi është dhe kushëri i Aleksandër Sadikaj, që njihej si “Aleksi i Memaliajt” apo “Sancho”, i cili u ekzekutua në mënyrë makabre mesditën e 11 qershorit 2022 pranë rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë, me minë me telekomandë.
Andrea Kalemi rezulton bashkëpronar i kompanisë “Shiza Kalemi” sh.p.k me adrese ne Memaliaj dhe objekt “Ne fushën e tregtisë, import, eksport, tregti me shumice dhe pakice e mallrave industriale, ushqimore, bujqësorë e blegtorale, veshmbathje, konfeksione, prodhim, përpunim e tregtim i materialeve te ndërtimit, inerte, rëre, zhavorr, tregtim i automjeteve, makinerive, hidrosanitare, bimëve medicinale, te lendes drusore, plastike, duraluminit etj. Bar bufe, restorant, pika servisi, parkim automjetesh, lavazh, hotele etj. Agjensi shitblerje dhe dhënie me qira te pasurive te patundshme, agjenci transporti te udhëtareve dhe mallrave brenda dhe jashtë vendit, si dhe aktivitete te ndërtimit. Pastrim te sipërfaqeve urbane, gjelbërim mirëmbajtjen e sipërfaqeve te gjelbëria, mirëmbajtjen e varrezave publike dhe dekorim te qytetit”.