Connect with us

Shkrime

Ideja e Trump, muzikë në veshët e Putin: Europa e dobët dhe e ndarë është më e lehtë për t’u dominuar

nga Nathalie Tocci

Propagandisti rus Vladimir Soloviev bën thirrje për një aleancë ushtarake midis Rusisë së Vladimir Putinit dhe Amerikës së Donald Trump, me qëllim ndarjen e Evropës.

Trump është duke brohoritur për fitoren e kampit konservator në zgjedhjet federale gjermane dhe duket se po sugjeron një front të përbashkët të krahut të djathtë pasi zëvendëspresidenti i tij JD Vance dhe “presidenti në hije” Elon Musk bënë fushatë për AfD-në e ekstremit të djathtë, e cila doli e dyta.

Nga ana tjetër, Frederich Merz, i cili do të jetë kancelari i ardhshëm gjerman në krye të një koalicioni të madh midis kristiandemokratëve (të parët në votime) dhe socialistëve (që ranë në vendin e tretë), flet në mënyrë eksplicite për nevojën që Evropa të jetë e pavarur nga Shtetet e Bashkuara.

Çfarë i lidh këto zhvillime? Dhe a do të ketë vërtet autonomi evropiane?

Sugjerimi i propaganduesit të Kremlinit nuk është aspak i hedhur në erë. Rusia e Putinit dhe Amerika e Trump kanë një vizion konvergjent për botën dhe Evropën. Ajo është një botë multipolare pa ligje dhe rregulla, e përbërë nga perandori (pole) dhe koloni (sfera ndikimi). Një xhungël ku ata që janë në krye të zinxhirit që ushqen mbijetojnë dhe dominojnë, ndërsa ata në fund detyrohen të gjunjëzohen ose të dorëzohen.

Nuk është rastësi që lideri ukrainas Volodymyr Zelensky është po aq jopopullor në Kremlin sa është në Shtëpinë e Bardhë. Kjo nuk është aspak si lufta me prokurë e cituar shpesh nga disa ekspertë  gjeopolitikë të vetëquajtur.

Problemi është pikërisht mosgatishmëria e presidentit ukrainas për t’iu përkulur të fuqishmëve, pavarësisht dobësisë së dukshme relative të vendit të tij në krahasim me Rusinë, e lëre më me Shtetet e Bashkuara. Është guximi që mund të vijë vetëm nga një lidhje e brendshme me lirinë që Putin dhe Trump synojnë të shkatërrojnë. Sepse plani i tyre për Evropën është i qartë: Rusia merr Lindjen dhe Amerika Perëndimin, dhe në të dyja rastet autonomia e vendeve evropiane do të gërryhej nëse nuk do shkohej deri në shtypje të saj.

Ka nga ata që besojnë se Evropa ka qenë një koloni e Shteteve të Bashkuara për dekada. Pa dyshim, Uashingtoni ka qenë fuqia hegjemoniste e botës perëndimore. Por ishte një botë e krijuar jo vetëm nga marrëdhëniet e pushtetit, por edhe nga vlerat, normat dhe institucionet e përbashkëta, në të cilën interesi kombëtar i Shteteve të Bashkuara përkon me një kontinent evropian të lirë, të begatë dhe paqësor, dhe në të cilën siguria amerikane shihej si e lidhur pazgjidhshmërisht me sigurinë evropiane.

Ideja e Trump është rrënjësisht e ndryshme: një Evropë e dobët dhe e ndarë është më e lehtë për t’u dominuar. Muzikë në veshët e Putinit.

Siç dihet, në Evropë ka ndarje, dhe ato janë të dy regjistrave të ndryshëm.

Ekziston një ndarje e parë që vjen nga historia, e cila shpaloset në patologji të ndryshme por tragjikisht konvergjente.

Në Perëndim është Evropa e pas 45-ës, e cila nuk e di se çfarë është lufta dhe është e bindur se dhuna që sheh në ekran është diçka e largët. Në këtë Evropë ka nga ata që e mbështetën Ukrainën, por ata e bënë këtë duke e konsideruar si një kauzë të drejtë, jo kauzën e tyre. Kjo është arsyeja pse Evropa e pas-45-ës është shumë e tunduar nga kimera e një “paqeje” imperialiste midis Putinit dhe Trump.

Natyrisht, nuk do të jetë paqja e drejtë e dëshiruar, por nëse mund të heshtin bombat, atëherë le të jetë një paqe e padrejtë. Duke futur kokën në rërë në lidhje me qëllimet e deklaruara të Rusisë, por edhe me përgatitjet e saj për luftë – sot Moska shpenzon për mbrojtje më shumë sesa i gjithë kontinenti së bashku – këta evropianë bindin veten se, në fund të fundit, kjo padrejtësi nuk i prek ata. Në filmin e tyre fitojnë djemtë e mirë, sepse kështu ka qenë që nga viti 1945.

Në lindje, nga ana tjetër, është Evropa e pas 89-ës. Kjo pjesë e kontinentit e di shumë mirë se synimet imperialiste të Rusisë nuk do të ndalen me Ukrainën. Por duke qenë kryesisht të vegjël, këto shtete e dinë se nuk mund të mbrojnë veten të vetëm. Evropa Lindore e pas 89-ës i sheh Shtetet e Bashkuara si kalorësi i bardhë që i shpëtoi. Filmi i gjeneratës së tyre është gjithashtu një film në të cilin djemtë e mirë fitojnë: kjo është arsyeja pse ata kanë vështirësi të mëdha të pranojnë realitetin në të cilin kalorësi i bardhë lidhet me ariun e murrmë për të ndarë plaçkën evropiane.

Pastaj ka një ndarje të dytë, këtë herë me karakter ideologjik.

Dhe këtu kthehemi te projekti politik i Putinit dhe Trump-Vance-Musk, i cili synon të forcojë të djathtën ekstreme në Evropë. Projekti imperialist i Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara është i realizueshëm vetëm atëherë kur Evropa e gjen veten të dobët dhe të ndarë. Një Evropë e bashkuar është një Evropë e fortë, një mur shumë më i fortë për t’u goditur.

Dhe nuk ka mënyrë më të shpejtë, më të lirë dhe më pa dhimbje për të arritur qëllimin e një kontinenti të fragmentuar sesa të mbështetet ngritja e së djathtës ekstreme në të gjithë BE-në.

Një Evropë në të cilën mbizotëron nacionalizmi dhe sovranizmi është një Evropë në të cilën integrimi evropian është i dobësuar dhe i zbehur; në të cilën kuajt e Trojës Trumpiane dhe Putiniste mbjellin mosmarrëveshje në shtëpinë e përbashkët të BE-së, duke e penguar atë të bëjë hapin përpara në mbrojtje, konkurrencë, zgjerim dhe tranzicione ekologjike dhe digjitale që do të lejonin kontinentin të shmangte përfundimin si një kafshatë koloniale.

Kancelari i ardhshëm gjerman Merz duket se është i vetëdijshëm për këtë kur flet për pavarësinë e Evropës, siç është edhe presidenti francez Emmanuel Macron. Kjo duket të jetë e qartë për kryeministrin polak Donald Tusk dhe atë të Spanjës Pedro Sanchez, si dhe për udhëheqësit e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe udhëheqësit e Këshillit Evropian António Costa, të cilët vizituan Kievin me disa liderë të tjerë evropianë në përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Rusisë.

Mbetet të shpresojmë që përveç ndërgjegjësimit të mos u mungojë guximi. Atë guxim që Zelensky dhe ukrainasit kanë treguar në këto tre vite, por që shpesh mungon në pjesën tjetër të kontinentit.

 

 

 

Advertisement