Shkrime
Idiotësia e dobishme e Agron Shehajt

Nga Denis Dyrnjaja
Jo çdo idiotësi është e dëmshme, ose me saktë, ka raste që dëmi i saj shndërrohet në dobi pasi kupton se si duhet të veprosh në të kundërt të saj që propozohet, për të shmangur marrëzi, jo rrallë edhe marrëzi kolektive që na kanë parë sytë në periudha të ndryshme kohore, nga mentorë pa mend, kryesisht që vijnë nga periferitë e politikës. Një idiotësi të dobishme kreu se fundi deputeti Agron Shehaj, që ka ndërkohë statusin e sipërmarrësit privat, por pretendon të bëhet një ditë edhe kryeministër i Shqipërisë dhe drejtues i qeverisë. Sot nuk doja të komentoj ëndrrat politike të Agronit, pasiqë do harxhoja si kohën time, por edhe kohen e çdo lexuesi panevojshmërisht.
Ndërkaq dëshiroj t’i kushtoj vëmendje pikërisht një idiotësie të dobishme të shprehur prej tij, që lidhet me një propozim publik që çon në mbylljen e RTVSH. E cilësoj idiotësi të dobishme pasi pa dashje deputeti aspirant për kryeqeveritar, na kujtoi se me kërkesën e tij për mbylljen e radios dhe televizionit të vetëm shtetëror, na kujtoi mbylljen masive të dhjetëra uzinave dhe fabrikave në vitet ’90 me ndryshimin e madh që ndodhi asokohe, nga një ekonomi e centralizuar, në ekonomi të tregut të lirë, e cila erdhi si rezultat i pluralizmit politik e demokracisë në Shqipëri. Sigurisht që teknologjia në këto fabrika dhe uzina të asaj kohe, nuk ishte moderne, por zgjidhja nuk ishte prishja apo rrafshimi i tyre, por modernizmi dhe rentabiliteti që do të mbante në punë qindra mijëra njerëz, të cilët u përballën me të famshmen “asistencë sociale” një lloj pagese shtetërore për të mbajtur frymën gjallë pas mbylljes masive të tyre
Shqipëria dispononte një bazë prodhimi të gjerë që nga industria e lehtë e prodhimit të përpunimit të mallrave të konsumit ushqimor dhe veshjeve deri te industria e rëndë për prodhimin dhe përpunimin e metaleve apo hidrokarbureve. Kishim fabrika për plehrat kimike për bujqësinë si ajo e Superfosfatit në Laç, apo Azotikut në Fier. Kishim rafineri nafte në Ballsh dhe disa kombinate në Tiranë, Korçë e Berat. Kishim një uzinë për prodhimin e telave në Shkodër dhe fabrika për përpunimin e duhanit po në Shkodër e Elbasan.
Kishim teknologë e mercologë për prodhimin dhe kontrollin e ushqimit, si dhe një trupë të kualifikuar për bujqësinë dhe blegtorinë bashkë me të gjithë bazën prodhuese e përpunuese të produkteve e nënprodukteve në këtë sektor rentabël për ekonominë. Ishin të gjitha të mundshme për t’u përshtatur me implementimin e teklogjjsë se re, për të vijuar transformimin e nevojshëm e për t’u bërë të konkurueshme për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Por në vend të kësaj strategjie vizionare të munguar, u zgjodh rruga më e shkurtër, i mbyllëm thuajse të gjitha dhe çuam çdo gjë për skrap.
Shumëçka u mbyll si e panevojshme dhe e padobishme, duke shpërbërë me një të rënë të lapsit, qindra milionë, në mos miliarda dollarë vlera prodhuese. Pra bëmë me ndërgjegje të plotë një idiotësi që në fakt ishte një marrëzi kolektive e paimagjinueshme, për shkak të euforisë së momentit që erdhi bashkë me lirinë e munguar. Ajo që pas disa vitesh u kuptua se ishte gabim në fakt ishte një faj i rëndë në përmasat e një krimi kolektiv, për të cilën askush nuk mbajti përgjigjësi, duke hedhur në kosh te plehrave një pasuri të tërë shtetërore e kombëtare. Gjithsesi në marramnedje lirie edhe fajet ishin të falshme edhe idotesitë e marrëzitë kolektive gjithashtu, por sot jo. Nuk mund të bëjmë të njëjtin gabim që shkon me koshiencë në faj.
Pra sot një idiotësie si ajo e propozuar nga ligjvënësi aksidental Agron Shehaj i futur në politikë në mënyrë rastësore dhe i shndërruar në protagonist në mënyrë aksidentale, populiste dhe false, nuk mund të kthehet në refenrcë vendimmarrëse shtetërore. Është pikërisht propozimi i tij për të mbyllur RTVSH pasi është jo rentabël dhe me kosto për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesit as, që duhet të na zgjojë dhe të na kujtojë se mbyllja është gjëja më e kollajtë, por dhe e gabuar dhe se shkatërrimi nuk është zhvillim.
RTVSH vërtetë sot nuk është në pritshmëritë e kohës dhe nivelit që i takon të jetë si institucion dinjitar publik, por kjo s’do te thotë se zgjidhja është zhbërja. Në çdo rast ai është një aset i madh nga çdo pikëpamje që duhet ruajtur dhe modernizuar në filozofi dhe teknologji. Pyetja që në fakt është dhe sfidë e madhe, por jo e parealizueshme është, a e modernizojmë dhe përshtatim dot këtë institucion mediatik me kërkesat, standardet e kohës dhe interesat e publikut, se për ta mbyllur ka patur plot idiotë të dobishëm para deputetit “inovator” që kanë propozuar të njëjtën gjë që është më e kollajta?!
Ndaj dryni i Agronit nuk është një mundësi e mirë dhe kjo nuk është mundësia që duhet.

