Connect with us

Shkrime

Iku vera Albin, hajde e bëje një ‘selfije’ dhe në bregdetin shqiptar

Nga Jakin Marena

Nuk ka qënë aq shumë i zënë Albin Kurti me punët në Kosovë, sa të bëjë ‘haram’ pushimet e verës dhe të jetë tërësisht i përkushtuar për detyrën që mban, si kryeministër i Kosovës.

Për më tepër koha për pushime gjendet, nëse e kërkon vetë këtë kohë. Si gjithë bota, një javë, dy apo më shumë, sipas punëve dhe ngarkesës që ka çdo kryeministër, President apo kancelar si të jetë emërtesa.

Aq më tepër që Albini këtë kasavetin e vizitave jashtë vendit, si i ftuar nga homologët e tishkrime

j nëpër botë, apo pritjet e përcjelljet në Prishtinë të vizitorëve të lartë, e ka hequr me kohë e me vakt. Ndonjë forum tek tuk, darkë apo ‘qokë’ që shfaqet ndonjëherë në horizont, e përballon Albini.

Themi se axhendën e ka ‘fushë’, sepse pas përplasjes me SHBA, BE e Britaninë për tensionet në Veri, me pasojë sanksionimin e qeverisë së Kosovës e zyrtarëve të tjerë të lartë por dhe ndëshkimin e vetë shtetit të Kosovës nga BE, janë zeruar të gjitha takimet e nivelit të lartë me homologët europianë dhe të SHBA-së. Kështu që Albini ka qënë i lirë në këtë drejtim.

Dhe kur të gjithë prisnin, që dhe Kurti, do të ishte duke ndjekur trendin e shqiptarëve të Kosovës, për të zbritur në bregdetin shqiptar për të shijuar plazhet e tërë vijës bregdetare shqiptare, të cilat kanë qenë të populluara masivisht dhe nga të huaj verën e sivjetme, nga zyrtarë dhe ithtarë të Vetëvendosjes dhe të Albin Kurtit u lëshuan apele për bojkot të turizmit në shtetin amë.

Pavarësisht se nuk ngjitën thirrjet e njerëzve të Albinit në drejtim të shqiptarëve të Kosovës për të bojkotuar bregdetin shqiptar, qoftë në fundjava apo dhe për ditë me radhë sipas mundësive të gjithësecilit, që në këtë moment u pa qartë se adhnimi i kryeministrit të Kosovës me homologun e tij Edi Rama, i kishte kapërcyer kufijtë e përplasjes personale. Kishte kaluar në tentativën për konflikt e zemërim mes dy vendeve. Për ta bërë adhnimin ndaj vetë shtetit amë, Shqipërinë.

Albini e ngriti në institucion konfliktin me Edi Ramën, teksa refuzoi kohë më parë ta takonte në Prishtinë kreun e qeverisë shqiptare, në atë tur ballkanik në kuadër të shkëmbimit të mendimeve për përgatitjen dhe suksesin e samitit të Berlinit që në tetor zhvillohet në Tiranë. Në vend që të takonte Ramën, Kurti gjeti kohën dhe momentin për të pirë kafe në “ballkonin e hapur” të selisë së kryeministrisë së tij, një përpjekje titanike e Albinit për të bërë ironi me “Ballkanin e Hapur”, pjesë e së cilës ishte dhe Shqipëria, dhe asnjëherë Kosova. Ishte i zënë Albini me punë!

Pas kësaj, Kurti gjeti kohën dhe mundësinë, kohë kishte mjaft për hir të së vërtetës sepse siç e nënvizuam ai ka zero takime me ndërkombëtarët si dhe faktin që deri më tani Kurti ka qënë punëtor partie e aspak s’është sjellë si kryeministër i një shteti të ri që ka nevojë për nerv pune, pra gjeti kohën për t’iu përgjigjur ftesës së Kyriakos Mitsotakis për të marrë pjesë në darkën informale në Athinë, në kuadër të 20 vjetorit të nismës së Selanikut për integrimin e Ballkanit në BE.

Bëri mirë që shkoi Kurti në Athinë, qoftë dhe në këtë darkë informale e liderëve të Ballkanit, nga të cilët gjysma e tyre nuk e njihnin Kosovën si shtet, duke filluar me vetë mikpritësin kryeministrin grek. Apo që me pjesën më të madhe liderëve pjësëmarrës Kurti ishte konfliktuar, siç ishte rasti me homologun maqedonas, ku me vizitën në Çair dhe Tetovë, tentoi ngritjen e një vatre konflikti ndëretnik në këtë vend me ekuilibra të brishtë, por që shqiptarët kanë fituar shumë që prej vitit 2001.

Për më tepër që Kurti, dëgjoi live kërkesën e Vuçiç ndaj Mitsotakis dhe Zelenskyt që Greqia dhe Ukrania të mos e njohin Kosovën. Ndërsa dëgjoi po live dhe pohimin, ndonëse me zë të ulët në forma të ndryshme, të dy liderëve që ende nuk e kanë njohur shtetin më të ri shqiptar në Evropë, se është e kryeme kjo punë, nuk do të ndodhë.

Kurti mund ta dëgjonte dhe nga larg një gjë të tillë, megjithëse bëri mirë që shkoi në këtë darkë informale në Athinë, pasi Kosova ka nevojë të shfrytëzojë çdo takim, apo samit në funksion të njohjeve. Anipse kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ishte ftuar në këtë darkë informale nga Mitsotakis, një mënyrë shumë e trashë dhe aspak greke për të dërguar një mesazh për Tiranën zyrtare për pasoja të rënda që do kishte nëse nuk lirohej nga burgu kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës Beleri, i kapur me ‘presh në dorë’ duke blerë vota, duke kërcënuar se Greqia do bllokojë integrimin e Shqipërisë në BE dhe për më tepër dhe financimet e BE për Shqipërinë.

Kurti bëri mirë që nuk u ndikua nga ky anashkalim që Mitsotakis i bëri Ramës, bëri mirë madje që nuk e dha veten e nuk bëri asnjë deklaratë për ta përmendur si fakt. E themi këtë sepse Kurti përfaqëson shtetin e Kosovës dhe aspak të gjithë shqiptarët. Pavarësisht se nëse do të ishin në pozicione të kundërta, Kurti i anashkaluar dhe të ishte ftuar Vjosa Osmani që do refuzonte, dhe Rama do ishte pjesë e kësaj darke informale, dhe tani mediat në Kosovë e “patriotët’ e Albinit do ishin duke u marrë me Edi Ramën, si ‘tradhëtar’ i kombit, që shkel me këmbë ‘gjakun çam”, që ha darkë krah Vuçiç dhe shkel “gjakun e shqiptarëve të Kosovës”! Por për fat ka standarde të ndryshme në qasjen shqiptare në të dy anët e kufirit për këto lloj punësh.

Teksa jemi dakord që Albini ka vepruar shkëlqyer që mori pjesë në darkën informale në Athinë, si i ftuar i Mitsitakis, ajo që mund të themi është se nuk bëhet qameti që të vijë ndonjëherë dhe në Shqipëri, dhe të marrë ndonjë ‘rreze’ dhe në plazhet shqiptare. Dheu amë është i ëmbël thonë. Të ‘rrezitet’ pak dhe në bregdetin shqiptar Albini.

Nuk themi që të takohet me Ramën, as të shkojë në rezidencat qeveritare shqiptare në bregdet, por të vijë thjeshtë dhe vetëm si simbolikë, qoftë dhe për t’iu bashkuar trendit të shqiptarëve të Kosovës, që e fillojnë dyndjen që në qershor drejt bregdetit shqiptar, por në gusht kanë pikun e vet. Duhet të kishte ardhur qoftë dhe një ditë dhe Albini në bregdetin shqiptar. Qoftë dhe sa për të bërë një foto, dhe për të thënë se s’ka asgjë më Shqipërinë dhe shqiptarët, tërë inatin e ka me Edi Ramën. Prezenca e të cilit e fruston, e bën të qeshë me zor, si një natë më parë në samitin e BLED-it në Slloveni, ku të gjithë e panë se Kurti u bë keq nga sikleti, e vetëm qeshte pa kuptim.

E themi se i ‘tepron’ një ditë nga leja, sepse Albini nuk pushon as në ‘fshatin e gruas’, pasi është ftohtë andej nga vendet nordike, dhe vendi i punës në Beograd ku punon bashkëshortja e Albinit, nuk i ofron mundësi plazhi në verë. Serbia s’ka dalje në det, ndaj nuk ka lënë fqinj pa sulmuar gjithë historinë e saj, vetëm për një copë dalje në det.

Me sa duket Kurti e ka zgjidhur problemin e plazhit, pasi e bën çdo vit në ishujt grekë. Janë modernë pavarësisht se shumë të shtrenjtë, janë zgjedhje e tij dhe askujt nuk i duhet se ku i bën pushimet Albin Kurti. Madje këtu s’ka nacionalizëm, as gjëra të tjera të këtij lloji. Robi, kushdo qoftë, shkon për të pushuar, për të marrë veten nga lodhja e një viti të tërë, ku të dojë.

Por si kryeministër i shtetit të dytë të shqiptarëve në Evropë, Kurti duhej ta kishte ‘harxhuar’ qoftë dhe një ditë në bregdetin shqiptar. Të mos bënte plazh, vetëm një shëtitje, sa për të thënë se pushoi dhe ai, qoftë dhe një ditë në shtetin amë. Si të gjithë shqiptarët e tjerë të Kosovës.

Fundja Kurti të vinte dhe për kuriozitet. Pasi erdhi kryeministrja e djathtë italiane Meloni, me gjithë familjen e saj në Vlorë dhe qëndroi gati katër ditë. Bashkë me të erdhi dhe ministri i Bujqësisë i Italisë. Erdhi dhe ish kryeministri britanik Toni Bler. Shqipërisë nuk po ndahej as Dua Lipa me gjithë familjen e saj, që qëndroi për ditë të tëra. Madje dhe me të dashurin me origjinë greke, ku në ‘gjininë’ e burrit qëndroi vetëm një ditë për t’u rikthyer sërish në bregdetin shqiptar. Po ashtu dhe familja e Rita Orës, dhe figura të tjera të artit, kulturës e sportit botëror. Si dhe gjysmë milionë italianë, një risi kjo pasi Italia është rrethuar nga të tre anët me det vetë.

Shqipëria kishte një bum turistik këtë vit. Po arrin në 7 milionë turistë. Pra me gjithë këtë dyndje të turistëve që nga Anglia, Italia, vendet nordike, Polonia e deri dhe Australia, pa përjashtuar dhe vetë grekët, dhe kthimit të Shqipërisë në një destinacion të përbotshëm turistik, nuk duhej të linte indiferent Albin Kurtin. Të paktën të justifikohej si ministri italian, i cili tha se ‘këtë bum turistik në Shqipëri do të shkoj ta verifikoj vetë në vend” dhe erdhi direkt në Vlorë. Qëndroi 4 ditë!

Megjithëse Albini ishte duke pushuar në bregdetin grek dhe nuk i ka shpëtuar asgjë pa parë në TV-të apo mediat greke në lidhje me ‘albaniomaninë’ në sektorin e turizmit, dhe mirë ka bërë se pushimet njëherë në vit janë dhe ato shfrytëzohen ku të do qejfi, mirë do kishte qënë që ta kishte parë dhe me sytë e tij dhe turizmin në Shqipëri. Aq më tepër që ka mbi një milion shqiptarë të Kosovës, shtetas që i qeveris vetë, që kanë qënë të paktën njëherë në bregdetin shqiptar.

Gjithsesi ka dhe disa ditë që të ikë gushti, por dhe java e parë e shtatorit shfrytëzohet për plazhe në bregdetin e Shqipërisë. Ndoshta është e mjaftueshme që dhe Albini të vijë në Shqipëri dhe ta bëjë ‘sefte’ takimin me bregdetin shqiptar. Qoftë dhe sa për një foto, një ‘selfije’ dhe në respekt të mijëra shqiptarëve të Kosovës që vijnë në Shqipëri. Ndryshe do te na bënte të mendonim se Albini tashmë e ka futur në ADN-në e vet, armiqësinë me Shqipërinë. Për fat këtë s’ka arritur ta injektojë tek shqiptarët e Kosovës. Që sytë i mbajnë dhe nga shteti amë. Dhe ky është fat!

Advertisement