Lifestyle
Ilaçe të reja që premtojnë fundin e obezitetit
Një klasë e re barnash, glp-1, ka rezultate veçanërisht premtuese në trajtimin e obezitetit .
Semaglutide, e zhvilluar nga kompania farmaceutike daneze Novo Nordisk, çoi në rreth 15% humbje peshe në provat klinike të ilaçit. Ilaçi tashmë shitet me emrin e markës Wegovy në Amerikë, Danimarkë dhe Norvegji dhe së shpejti do të jetë i disponueshëm në vende të tjera, sipas Economist.
Ozempic, një version me dozë më të ulët, është një ilaç për diabetin, por përdoret “jozyrtarisht” për humbje peshe. Një medikament konkurrues glp-1, i prodhuar nga kompania amerikane Eli Lilly dhe që do të dalë në treg brenda vitit, është edhe më efektiv. Analistët besojnë se tregu për barnat glp-1 mund të arrijë në 150 miliardë dollarë deri në vitin 2031, duke iu afruar tregut aktual për barnat e kancerit. Disa besojnë se këto barna mund të bëhen po aq të zakonshme sa beta bllokuesit ose statinat.
Në vitin 2020 u vlerësua se dy të pestat e popullsisë së botës ishin ose mbipeshë ose obezë. Deri në vitin 2035 kjo shifër mund të rritet në më shumë se 50%, duke arritur në 4 miliardë njerëz mbipeshë ose obezë, sipas organizatës joqeveritare Federata Botërore e Obezitetit. Popullsia e cila has probleme me obezitetin nuk jeton në Perëndimin e pasur, por në vende të tilla si Egjipti, Meksika dhe Arabia Saudite.
Obeziteti shkakton një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë diabetin, sëmundjet e zemrës dhe presionin e lartë të gjakut dhe lidhet me goditjet në tru, përdhesin dhe forma të ndryshme të kancerit. Pesha e tepërt trupore lidhet gjithashtu me një rrezik më të madh të vdekjes nga Covid-19.
Zbulim aksidental
Ilaçet e reja kundër obezitetit u zbuluan rastësisht kur trajtimet e destinuara për diabetikët u vunë re se shkaktonin humbje peshe. Semaglutide imiton lirimin e hormoneve që stimulojnë ndjenjën e ngopjes pas ngrënies, duke reduktuar oreksin. Ata gjithashtu zbutin dëshirën e fortë për të ngrënë.
Kërkesa tashmë është e lartë dhe po vihet re interesi për investime. Vlera e tregut të aksioneve të Novo Nordisk është dyfishuar në dy vjet në 326 miliardë dollarë, duke e bërë atë kompaninë e dytë farmaceutike më të vlefshme të listuar në botë.
Analistët vlerësojnë se gjysma e amerikanëve obezë që kërkojnë ndihmë do të marrin ilaçe glp-1 deri në fund të dekadës. Por, si me çdo ilaç të ri që premton shumë për kaq shumë, ka pasiguri për fektet anësore dhe çmime të larta.
Po efektet anësore?
Siç vë në dukje Economist, pasojat e mundshme afatgjata të këtyre barnave nuk dihen ende. Në dozat më të ulëta të përshkruara për diabetin, efektet anësore, të tilla si të vjella dhe diarre, ishin të lehta. Por të tjera mund të regjistrohen, pasi barnat përdoren më gjerësisht dhe në doza më të larta.
Testet e kafshëve kanë treguar një incidencë më të lartë të kancerit të tiroides dhe semaglutidi shoqërohet me një formë të rrallë të pankreatitit. Dihet pak për efektet anësore gjatë ose pas shtatzënisë.
Do të nevojiten shumë studime të kujdesshme përpara se të jepet miratimi, pasi shumë pacientë mund të marrin doza së glp-1 gjatë gjithë jetës: ndalimi i një doze të lartë semaglutide shoqërohet me rikthimin e pjesës më të madhe të peshës së humbur. Disa njerëz duket se fitojnë edhe më shumë peshë sesa kishin humbur.
Një shqetësim tjetër është kostoja. Në Amerikë, kostoja mujore për Wegovy është rreth 1,300 dollarë, për Ozempic rreth 900 dollarë. Megjithatë, ka optimizëm se, në afat të gjatë, kompanitë ka të ngjarë të arrijnë marrëveshje me qeveritë dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor, duke ulur kostot.
Perspektiva e fitimeve tërheq konkurrencën. Amgen, AstraZeneca dhe Pfizer po zhvillojnë barna konkurruese.