Connect with us

Aktualitet

(I)LEGJITIMITETI

Legjitimiteti i pushtetit politik matet me kutin e vështirë të drejtësisë që si i këtillë duhet të ketë mbështetje në Kushtetutë, në rastin e Maqedonisë (së Veriut) edhe Marrëveshjen e Ohrit, që tashmë është shkrirë në këtë aktin më të lartë juridik, por edhe në ligje të cilat, çuditërisht, me pretekste nga më të ndryshmet, sa vjen e po vihen në pikëpyetje. Kjo, natyrisht se mund të prodhojë krizë dhe kjo krizë, nesër nuk do të mund të zgjidhet vetëm me – zgjedhje!    

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

“Arti i caktimit të njerëzve të duhur në vendin e duhur është fillim i shkencës për menaxhmentin, por gjetja e vendeve për të pakënaqurit është puna më e vështirë”!

Charles-Maurice de Talleyrand-Périgord

Njëri ndër diplomatët më të njohur francezë dhe evropianë, Charles-Maurice de Talleyrand-Périgord (1754 – 1838) citohet edhe sot e kësaj dite kur vjen puna për zhvillimet shoqërore e politike, për kahet dhe peshën e tyre. Citimi i mësipërm mbase “akomodohet” shumë mirë edhe në shtratin e ngjarjeve që po ndodhin në Maqedoninë e Veriut. Për kryeministrin Hristijan Mickoski, partinë e tij VMRO-DPMNE, por edhe gjithë koalicionin në pushtet, së bashku me Shefen e shtetit, ma thotë mendja, ky zbërthim nuk do të duhej të ishte i huaj, i panjohur, njësoj si dhe aforizmi, po nga i njëjti autor, se “çdo pushtet prish, kurse pushteti absolut prish absolutisht”!

Kjo për shkak se praktimi i pushtetit gjatë këtij, të thuash, një viti, e provon këtë më së miri:  Kryeministri, kohë më parë, në një polemikë me numrin dy të BDI-së, Bujar Osmani me o pa vetëdije ra në kurthin e vetëngritur, po nga ai: Ia pa për të madhe një deklaratë ku si opozitar kishte akuzuar pushtetin për kapjen e drejtësisë, duke e cilësuar atë jo më pak se “tentativë për të bërë sulm kundër sistemit të drejtësisë”. Duke harruar se jo më larg se para tragjedisë në Koçan ai dhe kabineti i tij qeveritar kishin hedhur gurë e dru kundër po të njëjtit sistem! Kur kësaj t’i shtohet edhe pretendimi se ka qenë pikërisht Osmani ai që paska “negociuar dhe shitur identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase”, rezulton se Hristijan Mickoski me vetëdije është duke përzier lëmshin intolerancës ndëretnike, nga njëra anë, dhe të funksionimit të sistemit juridik e politik, të vendosur me shumë mund e sakrifica. Për shkak se, pa mohuar legjitimitetin e fitores absolute të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, rreth një vit më parë, hyxhymi për ta bërë Maqedoninë (e Veriut) puro maqedonase, sikurse po shihet, është duke prodhuar mosbesim jo vetëm, tek opozita shqiptare e prirë nga BDI-ja, por edhe tek shqiptarët në përgjithësi. Kjo arrogancë e pushtetit, prandaj ka prodhuar atë që quhet ilegjitimitet, përkatësisht uzurpim të pushtetit nga një mazhorancë e cila sikur me vetëdije po ysht zemëratën, mbase e bindur se nesër, me të, mund t’i qërojë hesapet shumë kollaj!

“Me bajoneta mund të bësh gjithçka, përveç një gjëje: nuk mund të rrish mbi to!”, – ka pas thënë Talleyrand. Dua të them se epilogu (hipotetik) i asaj “pjesës së dytë të ndeshjes”, që është paralajmëruar e po yshtet edhe sot nga qarqe nacionaliste maqedonase të afërta me VMRO-DPMNE-në, mund të jetë i kobshëm për të nesërmen e këtij shteti dhe të të gjithë qytetarëve të tij!

Në të njëjtën kohë, debati dhe polemikat në kampin politik shqiptar, midis pozitës e opozitës, për atë se nga po shkon Maqedonia (e Veriut), sikur po e përvijojnë dhe vënë në spikamë sa vinë e më shumë varfërinë e të parës në çuarjen përpara të objektivave të proklamuara gjatë fushatës, por dhe në hezitimin, për të mos thënë frikën e të njëjtës, për t’iu kundërvënë margjinalizimit institucional të shqiptarëve dhe tkurrjes së të drejtave të tyre! Shi për këtë, ky kurs dhe ky realitet vë para përgjegjësisë edhe më shumë partinë më të madhe në vend, pa çka se është maqedonase, për shkak se Asaj i përket të mbajë më shumë llogari për mirëfunksionimin e sistemit juridik e politik, sikurse e thash, të vendosur me shumë mund e sakrifica, edhe kur është fjala për respektimin e postulateve kushtetuese për barazinë etnike! Legjitimiteti i pushtetit politik matet me kutin e vështirë të drejtësisë që si i këtillë duhet të ketë mbështetje në Kushtetutë, në rastin e Maqedonisë (së Veriut) edhe Marrëveshjen e Ohrit, që tashmë është shkrirë në këtë aktin më të lartë juridik, por edhe në ligje të cilat, çuditërisht, me pretekste nga më të ndryshmet, sa vjen e po vihen në pikëpyetje. Kjo, natyrisht se mund të prodhojë krizë dhe kjo krizë, nesër nuk do të mund të zgjidhet vetëm me – zgjedhje!

Advertisement