Connect with us

Politike

Ilir Meta e akuzoi si të blerë nga Veliaj, i përgjigjet nënkryetari i partisë: Më nxirr provat

Endrit Braimllari ishte “koka e parë e prerë” nga ristrukturimi i Partisë së Lirisë i nisur së fundmi nga Ilir Meta. Ndaj tij janë hedhur akuza të rënda, e ndërsa Meta flet për “tradhti”, “flirte me qeverisë” apo “çimka”, Braimllari thotë se në këto deklarata nuk ka asgjë të vërtetë.

I ftuar në “Debat” në A2 CNN nga Alba Alishani, Braimllari u shpreh se ai nuk ka bashkëpunuar me Engjëll Agaçin apo Erion Veliajn, siç është akuzuar.

“Nëse Endrit Braimllari akuzohet si bashkëpunëtor i Engjëll Agaçit apo i Erjon Velisë, nxirrni faktet. Nuk kam bashkëpunuar, zero, zero bashkëpunim dhe koha do jetë dëshmitari më i mirë, jam produkt politik i LSI, nuk tradhtoj idealet e LSI”, tha ai.

Braimllari tregon se nuk është dakord me Metën me aksionin që ka ndërmarrë së fundmi.

“Ilir Meta mund të ketë të drejtë për çështjen e organizimit të Partisë, dhe nëse do ishte vetëm kjo gjë dhe unë do isha i pari që do jepja dorëheqjen, por unë mendoj që në një aksion politik nuk është përgjegjës vetëm për një person. 14 maji nuk është vetëm i im, nuk lejoj që të hidhet baltë mbi angazhimin tim politik”, shtoi Braimllari.

Megjithatë, ai ka një mesazh për kritikët që ka brenda partisë.

“Disa menduan që kam ikur nga PL, unë nuk iki, ato që gëzohen e kanë shumë gabim. Unë nuk jam për këtë funksionim”, përfundoi Braimllari.

Advertisement