Connect with us

Shkrime

Iluzioni i moralit

Bjorn Runa

Fatkeqësisht, kjo po vjen gjithnjë e më tepër edhe nga politikanët dhe partitë e reja, të cilët do të duhej të na thoshin të vërtetën sado dëshpëruese qoftë ajo, dhe që në fakt po na shesin sërish iluzionin e optimizmit të lire: se neve thjesht nuk na është ofruar një alternativë morale apo një model i drejtë, kur në fakt politika nuk është se ka dalë jashtë moralit – ajo thjesht vepron sipas logjikës së pushtetit.

Nëse tërhiqemi për një moment dhe i analizojmë këto debate, duhet të pyesim se përse ekzistojnë dhe kush përfiton prej tyre?
Argumenti moral si mjet i pushtetit

Shpesh na thuhet se morali është një forcë universale që formëson shoqërinë, që etika duhet të drejtojë vendimet politike dhe se turpi është një mjet i nevojshëm për të ndrequr keqbërjen. Por, nëse morali është vërtet në themel të shoqërisë tonë, atëherë përse duket i aplikuar në mënyrë kaq selektive?

E vërteta është se shoqëria, por edhe bota, nuk funksionojnë mbi bazën e parimeve morale, por mbi bazën e pushtetit. Dhe morali, të paktën ai të cilit i referohemi si argument ne debatet tona, nuk është një forcë për të vendosur drejtësi, por një mjet për të mbajtur nën kontroll pjesën dërrmuese të shoqërisë. Institucionet që drejtojnë jetët tona – politika, media, biznesi, feja – përcaktojnë çfarë është e moralshme ose jo në mënyrë të atillë që të ruajnë pozitën e tyre, duke u siguruar që pjesa tjetër e shoqërisë të mbetet e kufizuar në kufijtë e etikës së përcaktuar prej tyre.

Nëse ka diçka të qartë në botën në të cilën jetojmë, është se morali nuk aplikohet njësoj për të gjithë. Ai formësohet nga pushteti dhe i shërben interesit të tij. Ndaj, ndodh rrallë që debatet mediatike t’i referohen si dështime morale fshehjes së të ardhurave nga shtresa e lartë e shoqërisë, apo shkatërrimit të mjedisit për arsye fitimi. Përkundrazi, këto cilësohen si strategji ekonomike apo politike, ndërsa argumenti moral ngrihet vetëm në lidhje me veprimet individuale – sidomos të atyre që janë larg pushtetit.

Nëse do të qe e vërtetë se morali është forca shtytëse e shoqërisë, atëherë shoqëria nuk do të ishte e mbushur me kaq shumë padrejtësi  dhe pabarazi. Historian a tregon se pushteti i përgjigjet vetëm trysnisë, jo argumenteve morale dhe etike.
Turpi si mekanizëm kontrolli

Nëse ka një pabarazi që shkon krah për krah me atë eknomike, është mënyra e pabarabartë e shpërndarjes së turpit. Ai nuk shpërndahet kurrë rastësisht, por orientohet me mjaft kujdes ndaj atyre që duhen mbajtur në rresht.

Të varfërit turpërohen dhe përqeshen për gjendjen e tyre ekonomike, ndërsa iu thuhet herë drejtpërdrejt e herë tërthorazi se vuajtjet e tyre janë pasojë e dembelizmit ose e zgjedhjeve të gabuara. Të papunët fajësohen për situatën në të cilën ndodhen, sikur kapitalizmi të ishte sinonim i meritokracisë dhe jo një sistem ekonimik e social i dizenjuar për të përfituar nga mjerimi.

Ndërkaq, të pushtetshmëve nuk iu duhet të përballen me asnjë lloj analize morale. Kur një politikan dënohet për korrupsion, trajtohet si rast individual dhe jo si problem i vetë sistemit. Roli i turpit është i qartë: ai nevojitet për të mos lejuar njerëzit të ngrenë pyetje ndaj vetë strukturës së pushtetit. Sa kohë publiku është i ndarë në kampe që luftojnë për moralin e tyre, janë të pakëta gjasat që të sfidojnë sistemin që i ka lënë në gjendjen ku janë.
Pushteti i përgjigjet trysnisë, jo parimeve

Nëse morali do të kishte funksionuar vërtet ndonjëherë si forcë shtytëse e historisë, regjimet totalitare do të kishin rënë qysh në fazën e parë të tyre. Por, ndryshimi kurrë nuk ka ardhur nga diskutimet morale. Ai vjen vetëm përmes presionit.

Punëtorët nuk i kanë fituar të drejtat që kanë sot sepse korporatat u zgjuan një ditë me ndjesi faji. Qeveritë nuk dhanë më tepër të drejta qytetare si rezultat i ndonjë ndriçimi të papritur etik, por sepse lëvizjet masive e bënë mosveprimin e tyre (qeverive) tepër të kushtueshëm politikisht.

Ndaj, përqëndrimi i debatit publik vetëm tek morali s’është veçse një kurth. Pushteti nuk bindet me argumenta etikë. Ai përgjigjet vetëm kur i kërcënohet pozita e tij dhe kur kostoja e status-kuosë bëhet e papërballueshme për të.
Kush përfiton nga debati mbi moralin?

Herën tjetër që do të shihni shpërthime monologësh mbi moralin në televizion, pyesni veten se kush përfiton nga ky debat?

·       Përse një problem specifik po trajtohet si çështje morale?

·       Çfarë problemesh më të mëdha lidhur me sistemin po injorohen?

·       Drejt kujt po orientohet turpi dhe kush po falet?

Debatet mbi moralin shpesh nuk janë veçse përpjekje për shpërqëndrim. Ato e detyrojnë publikun të përqëndrohet tek sjelljet individuale, duke injoruar strukturat që formësojnë shoqërinë. Sa më shumë kohë që shpenzojmë duke diskutuar se ç’është e drejtë apo e gabuar, aq më pak kohë na mbetet për të pyetur se kush e ka pushtetin dhe si mund ta marrim mbrapsht?

Nëse kërkojmë vërtet ndryshim, duhet mos të mbështetemi më tek argumenti moral për të ndrequr një shoqëri që nuk funksionon mbi parime etike dhe morale. Në vend të kësaj, duhet të përqëndrohemi tek pushteti – si funksion ai, kush e zotëron dhe si mund të sfidohet.

Sepse, në fund të ditës, shoqëria nuk ndryshon thjesht sepse i ofrohet diçka e drejtë, apo e duhur. Ajo ndryshon vetëm kur njerëzit ia bëjnë të pamundur pushtetit që t’i injorojë ata.

Advertisement