Connect with us

Bota

Imazhet satelitore/ Shtëpi dhe fabrika të rrafshuara, ja si është shkatërruar Gaza

Ushtria izraelite ka transformuar çdo pjesë të territorit të Gazës brenda rreth gjysmë milje nga kufiri izraelit, në një shkretëtirë.

Buldozerët e blinduar kanë rrafshuar sistematikisht shtëpitë njëra pas tjetrës. Inxhinierët luftarakë kanë vendosur eksplozivë dhe kanë shkatërruar fabrikat.

Trupat kanë shkatërruar dhe u kanë mohuar palestinezëve çdo akses në tokën bujqësore pjellore që dikur mbante jetë dhe mjete jetese, sipas CNN.

Në vend të saj, ushtria izraelite ka krijuar një ‘zonë tampon’ (një zonë që ndan fizikisht dy ose më shumë fuqi kundërshtare, duke shërbyer si një instrument paqeje dhe stabiliteti), afërsisht 1 kilometër të gjerë nga e cila ka dëbuar palestinezët dhe ka vrarë ose qëlluar mbi ata që shkelin brenda perimetrit të saj.

Tani, në intervistat me CNN dhe dëshmitë për një grup vëzhgues izraelit, ushtarët izraelitë që u dislokuan në Gaza po zbulojnë se si ushtria kreu shkatërrimin e infrastrukturës civile për të krijuar ‘zonën tampon’ dhe rregullat e lira të angazhimit që supozohet se kanë rezultuar që trupat izraelite të qëllojnë dhe vrasin palestinezë të paarmatosur.

Këto dëshmi zbulojnë praktika ushtarake izraelite që shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe, në disa raste, janë krime lufte, sipas ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare.

Qëllimi i shkatërrimit është se Izraeli po zgjeronte zonën mbrojtëse që ndante palestinezët nga komunitetet izraelite përgjatë kufirit të Gazës.

Përtej shkeljeve të mundshme të ligjit humanitar, shkatërrimi i qëllimshëm dhe i përhapur i pronës civile pa një nevojë të qartë ushtarake është një krim lufte.

Për palestinezët, vënia e këmbës brenda ‘zonës tampon’ mund të jetë një dënim me vdekje.

Shumë ushtarë përshkruan rregullat e angazhimit që i autorizonin ata të qëllonin mbi palestinezët në zonë, pavarësisht nëse ata ishin të armatosur ose të identifikuar si luftëtarë.

“I rritur, mashkull – vrit. Gjuaj për të vrarë. Për gratë dhe fëmijët, qëlloni për të përzënë”,  tha një rreshter i klasit të parë në Trupat e Blinduara të Izraelit në një intervistë.

“Rezervistët gjithashtu ngritën gjithmonë pyetje nëse kjo iu komunikua atyre (palestinezëve): ‘A e dinë se ekziston një gjë e tillë?’”

Ai tha se komandantët nuk dhanë kurrë një përgjigje të qartë, por realiteti ishte i qartë. “Nuk është ashtu siç u është thënë: Kreshta përpara kufirit është (vija)”, tha ai.

Ndërsa ‘zona tampon’ mund të shihet qartë në imazhet satelitore, perimetri i saj mund të jetë i vështirë për t’u dalluar në tokë dhe shumë palestinezë janë qëlluar për hyrjen në zonë, sipas dëshmisë së ushtarëve izraelitë.

Edhe gjatë armëpushimit, CNN gjurmoi raste të shumta të palestinezëve që u qëlluan dhe u vranë për kalimin e vijave të padukshme pranë ‘zonës tampon’ ku ishin vendosur trupat izraelite.

 

Advertisement