Politike
Imzot Joani zgjidhet Kryepiskop, Salianji: Moment historik për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqpërisë

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar mbi zgjedhjen e Imzot Joanit si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, duke e cilësuar këtë një moment historik dhe kulmor për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në një postim në Facebook, Salianji vlerësoi përkushtimin dhe kontributin e Imzot Joanit në ringritjen e Kishës Ortodokse, duke theksuar se puna e tij në Mitropolinë e Korçës e ka bërë atë një udhëheqës të denjë fetarisht dhe kombëtarisht.
“Fronëzimi i tij, 27 vite më parë në Korçë, ishte pika kulmore që solli ringritjen e plotë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë,” shkroi ai, duke nënvizuar se pasardhësi i Kryepiskopit Anastas është një figurë që e ka merituar këtë detyrë përmes punës dhe devocionit të tij.
Salianji e renditi Kryepiskopin e ri ndër figurat më të rëndësishme të historisë së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke e krahasuar me emra si Fan Noli dhe Kristofor Kisi. Ai shprehu urimin që Imzot Joani të vazhdojë udhën e peshkopëve martirë shqiptarë dhe të drejtojë Kishën drejt një të ardhmeje të fortë dhe të zhvilluar.
“I denjë!” përfundoi ai, duke përsëritur thirrjen tradicionale që besimtarët ortodoksë përdorin për të konfirmuar udhëheqësit e tyre fetarë.

