Aktualitet
“Inflacioni mund të rritet”/ Guvernatori i BSH: Rreziku nga “lufta tregtare”, mund të godasë ekonominë

Tarifat tregtare të përshkallëzuara të SHBA me vendet e BE mund të prekin edhe ekonominë shqiptare.
Ky rrezik u ngrit edhe nga guvernatori Gent Sejko në konferencën mbi vendimmarrjen e politikës monetare i cili theksoi se kjo politikë mund të rrisë inflacionin e vendit tonë.
“Balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve paraqitet për momentin neutrale. Megjithatë, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave e tarifave tregtare, mund të sjellin një goditje oferte me pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe inflacion”, tha Sejko.
Një lamërim i tillë vjen në një periudhë kur ekonomia shqiptare po performon në rritje sipas guvernatorit.
“Zgjerimi i aktivitetit ekonomik duket se është mbështetur në rritjen e konsumit dhe të investimeve të brendshme, si dhe në rritjen e eksportit të shërbimeve, ndërkohë që politika fiskale ka vijuar të qëndrojë në pozita konsoliduese dhe eksporti i mallrave vijon të shfaqë rënie. Zgjerimi i kërkesës agregate është shoqëruar me rritjen e punësimit, rënien e normës së papunësisë dhe vijimin e rritjes së pagave në sektorin privat.”
Sipas tij rritja e konsumit familjar dhe e investimeve të biznesit pasqyron bilancet e shëndetshme fiannciare, besimin për të ardhmen dhe kushtet e favorshme të kreditimit. Duke ju referuar situatës ekonomike, guvernatori njoftoi se norma bazë e interesit do të mbetet e pandryshuar.
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%.
Rritja ekonomike e Shqipërisë në vijim pritet të mbetet solide, ndonëse më e ulët se tremujorët e mëparshëm.

