Sport
Interi turpërohet në ‘San Siro’, Udinese e përmbys 1-2! Juventusit i mjafton Vlahovic, Lazio ‘poker’ Veronës

ITALI – Serie A e futbollit mbylli këtë të diel raundin e dytë me katër ndeshjet e planifikuara. Befasi në Milano, aty ku Interi u mposht 1-2 nga Udinese. Juventusi fitoi 0-1 në Genoa, ndërsa Lazio i shënoi katër gola Veronës në ‘Olimpico’.
Juventusi fiton në udhëtim
Juventusi ka vazhduar serinë e fitoreve në Serie A, duke mposhtur Genoan me rezultatin minimal 0-1. Takimi nisi me ritëm të ulët, me vendasit që mbyllën mirë hapësirat dhe vështirësuan sulmet e “Zonjës së Vjetër”.
Megjithatë, gjithçka u vendos në minutën e 73-të, kur Dusan Vlahovic shënoi me kokë golin e vetëm të ndeshjes, duke i siguruar tri pikë të vlefshme bardhezinjve.
Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Juventusin, pas triumfit 2-0 ndaj Parmës në javën e parë. Pas pushimit për ndeshjet e kombëtareve, Juvja do të presë Interin në Torino për javën e tretë.
Humbja e Interit 1-2 kundër Udineses
Interi ka pësuar humbjen e parë këtë edicion në Serie A, pasi u përmbys në “San Siro” nga Udinese me rezultatin 1-2.
Zikaltërit e nisën mirë takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 17-të, kur Denzel Dumfries shënoi në portën e zbrazët për 1-0. Më pas gabimi i vetë Dumfries solli kthesën. Në minutën e 29-të ai shkaktoi penallti, të cilën Keinan Davis e shndërroi në gol për barazimin 1-1.
Vetëm pak minuta më vonë, në të 40-n, Arthur Atta shënoi një gol të bukur, duke i dhënë epërsinë Udineses, e cila arriti ta ruante rezultatin deri në fund.

