Shkrime
INTERVISTA/ Mero Baze: Opozita të mos fërkojë duart kur gabon Albin Kurti, duhet ta rrëzojë me çdo çmim
Publicisti Mero Baze, thotë se opozita në Kosovë nuk duhet “të fërkojë duart dhe të krekoset për gabimet e Albin Kurtit”, por se duhet të bashkohet urgjentisht për ruajtjen e marrëdhenieve me perëndimin. Ne nje interviste per Periskopin, Baze thotë se kursi nacionalist i Albin Kurti mund të krijojë fanatikë trushpërlarë por nuk krijon asnjëherë siguri për vendin. Analisti ka përmendur opozitën serbe në kohën e ish presidentit serb Slobodan Millosheviq, duke thënë se opozita e atehershme nuk ndërmorri asnjë hap për të kundërshtuar politikat fashiste të tij, pikërisht duke iu “frikësuar” mbështetjes së tij popullore.
“Në këto pozita ka qenë opozita serbe në vitet 90. Kompleksi i tyre se Miloshevici bëhej popullor po qe se ata kundërshtonin politiken shtypëse në Kosovë i delegjitimoi ata dhe i bëri të papërfillshëm. Sot opozita e Kosovës ka nevojë urgjente të unifikohen rreth një qëndrimi jo rreth një koalicioni.
Dhe qëndrimi duhet të jetë aleanca properëndimore e Kosovës. Jam i dëshpëruar fjala vjen që nismën e Ramush Haradinaj për rrëzimin e qeverisë nuk e mbështesin duke bërë secili llogarit e veta. Unë nuk jam një adhurues i Haradinaj, por ai ka pasur qëndrime tepër korrekte ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe ndaj situatës tani”, shprehet Baze për Periskopin.
“Opozita e Kosovës nuk duhet të bëj sikur është dhe ajo nacionaliste meqë është Kurti i tillë. Populizmi i Kurtit duhet vrarë me guxim duke bërë të kundërtën dhe jo duke bërë më keq se ai. Ata duhet të bëjnë betejë me çdo çmim për ta rrëzuar qeverinë antiperëndimore të Kosovës dhe sikur të dështojnë disa herë.
Ata duhet ti provojnë Perëndimit se Kosova nuk është kundër tyre. Duke mos vepruar, ata krijojnë idenë e gabuar se Kosova është kundër Perëndimit dhe pro Albinit. Ata duhet të lënë mënjan interesat e vogla, krekosjet dhe fërkimin e duarve për gabimet e Kurtit Duhet urgjent të bashkohen vetëm në një pikë për të ruajtur aleancën e Perëndimit me Kosovën dhe të rrëzojnë një orë e më parë qeverinë Kurti. Ta provojnë disa herë pa u dëshpëruar”, thotë tutje publicisti.
Tutje Baze mendon se shqiptarët në Kosovë nuk adhurojnë një njeri që po përpiqet t’u mbushë mendjen se armiku i tyre është Perëndimi.
Ai thotë se është diçka më e keqe se kaq dhe e shpjegon kështu:
“Albin Kurti po shfrytëzon kontingjentet antiperëndimore të gatshme në Kosovë që lidhen dhe me islamin politik apo me ish jugosllavët e vjetër ne pushtet dhe po na i paketon si mbështetës të tij patriot. Kjo është dhe diferenca e thellë e një lideri antiamerikan në Kosovë me një lider antiamerikan në Shqipëri.
Një lider antiamerikan në Shqipëri si Sali Berisha sot, apo Enver Hoxha dje, kanë fanatikët e tyre të interesuar për pushtet, dhe janë të zemëruar me SHBA për shkak të pushtetit. Por me ikjen e atij lideri nuk janë më antiamerikanë. Më 1990 Shqipëria dukej vendi më antiamerikan në botë dhe më 1991 më proamerikani në botë.
Dhe PD e Berishës sot duket më antiamerikane në botë, por me ikjen e Berishës rikthehet proamerikane. Është çështje individi. Në Kosovë nuk është Kurti që po bën shoqërinë antiamerikane, por plot segmente antiamerikane të shoqërisë që po I bashkëngjiten Kurtit, pasi e shikojnë si njeriun e duhur për axhendat e tyre. Dhe ky është rrezik serioz”. /Periskopi/