Sport
Inzaghi joshet nga milionat saudite, Inter-i i jep ‘ultimatum’ dhe piketon zëvendësuesin

Menaxhmenti i Inter-it dhe trajneri Simone Inzaghi do të ulen menjëherë pas finales së Champions League për të diskutuar së bashku të ardhmen e tyre, ndërsa raportet e fundit sugjerojnë se Cesc Fabregas i Como-s po shihet si një zëvendësim i mundshëm në rast se ka një ndryshim në ekipin e zikaltërve këtë verë.
Inzaghi është aktualisht i zënë duke u përgatitur për finalen e Champions League-s midis Inter-it dhe Paris Saint-Germain-it që do të zhvillohet në “Allianz Arena” në Mynih të shtunën në mbrëmje, 31 maj, ora 21:00.
Trajneri italian dha një përgjigje mjaft të prerë kur u pyet për të ardhmen e tij gjatë konferencës për shtyp të hënën, duke pasur parasysh se ai ka një finale mjaft të rëndësishme për t’u përqendruar për momentin.
Megjithatë, ka pasur raportime se skuadra e Ligës Profesionale Saudite, Al Hilal, është e gatshme t’i ofrojë Inzaghi-t një kontratë marramendëse prej 30 milionë eurosh në sezon, në një përpjekje për ta larguar atë nga Serie A.
Inzaghi ka pranuar se ka marrë oferta nga klube të shumta, si në Itali ashtu edhe jashtë saj, por shton se ka një “marrëdhënie të shkëlqyer” me bordin e Inter-it dhe se është i lumtur të qëndrojë në kushte të caktuara.
Sipas raportimeve nga “Calciomercato.com”, tani ka një datë në kalendar për bisedimet thelbësore midis Inter-it dhe trajnerit Inzaghi, të cilat do të zhvillohen disa ditë pas finales së Champions League më 2 qershor.
Raporti i së martës pohon se Inter-i tashmë ka një listë alternativash të mundshme në rast se Inzaghi vendos të largohet.
Midis tyre është Vincenzo Italiano, i cili, megjithatë, është afër nënshkrimit të një kontrate të re me Bologna-n.
Gjithashtu është përmendur edhe Massimiliano Allegri, i cili është kontaktuar për pozicionet e lira si nga Mila-ni ashtu edhe nga Napoli.
“Calciomercato” pretendon se Fabregas mbetet një opsion joshës për zikaltërit. Spanjolli ka qenë subjekt i interesit serioz si nga Roma ashtu edhe nga Bayer Leverkusen-i këtë sezon.
Aftësia e tij për të punuar dhe për të zhvilluar talente të reja, përfshirë lojtarë si Nico Paz, Assand Diao dhe Alex Valle, është një nga arsyet kryesore pse Inter-i dhe pronarët e klubit e admirojnë ish-mesfushorin e Arsenal-it, Barcelona-s dhe Chelsea-t.

