Connect with us

Bota

Iran/ Një tjetër protestues dënohet me vdekje

Një gjykatë në Iran ka dënuar me vdekje një burrë tjetër që mori pjesë në protestat për vdekjen e Mahsha Amini , gruas së re kurde që u arrestua nga policia e moralit për mosmbajtjen e duhur të shamisë.

Siç raporton agjencia e lajmeve e gjyqësorit, Mizan Online, gjykata vendosi dënimin me vdekje për Javad Ruhi, duke e shpallur atë fajtor për “korrupsion në tokë”, “apostazi për përdhosje dhe djegie të Kuranit” dhe “shkatërrim dhe djegie të pronës publike”.

Gjithsej 18 persona janë dënuar me vdekje për pjesëmarrje në protesta – sipas një numërimi të AFP-së – dhe katër prej tyre janë ekzekutuar. Dhjetra të tjerë mund të përballen me dënimin me vdekje nga gjykatat, thonë grupet humanitare.

Autoritetet iraniane thonë se “trazirat”, siç i quajnë ata protestat, janë nxitur nga vende dhe organizata të huaja armiqësore ndaj Teheranit.

Javad Rouhi, mosha e të cilit nuk u specifikua, u akuzua si udhëheqës i një “grupi trazirash” në qytetin verior iranian të Nosakhr dhe për “nxitje dhe inkurajim të qytetarëve për trazira”. Mizan Online sqaroi se Ruhi mund të apelojë dënimin e tij duke u ankuar në Gjykatën e Lartë.

Në fillim të janarit, Gjykata e Lartë la në fuqi dënimet me vdekje për dy protestues të tjerë, të cilët tani nuk kanë mundësi ligjore dhe mund të ekzekutohen në çdo kohë.

Pak ditë më parë u ekzekutuan dy demonstrues , veprim ky që shkaktoi zemërimin e qeverive perëndimore.

Advertisement