Bota
“Irani nuk kërkon të zhvillojë armë bërthamore”/ Presidenti iranian hedh poshtë pretendimet e Trump

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian tha se Irani nuk kërkon të sigurojë armë bërthamore, por do të vazhdojë të mbrojë “të drejtat e tij legjitime” ndërsa armëpushimi me Izraelin hyri në fuqi
“Ne presim që ju t’u shpjegoni atyre, në negociatat tuaja me Shtetet e Bashkuara, se Republika Islamike e Iranit kërkon vetëm të drejtat e saj legjitime”, tha Pezheskian gjatë një bisede telefonike me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA.
Ai shtoi se Irani është gati të zgjidhë çështjet që do të vendosen në tryezën e negociatave.
Pezeshkian tha gjithashtu se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të imponojnë ambiciet e tyre të padrejta me forcë.
“Republika Islamike e Iranit u detyrua të angazhohej në një konflikt ushtarak për të mbrojtur veten dhe shpresoj se nuk do të detyrohemi kurrë të luftojmë përsëri”, tha Pezeshkian.
Më parë, presidenti iranian e bëri të qartë se vendi i tij do të respektonte armëpushimin e shpallur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, me kusht që Izraeli gjithashtu t’i përmbahet kushteve të tij.
“Nëse regjimi zionist nuk e shkel armëpushimin, as Irani nuk do ta shkelë atë”, tha Pezheskian gjatë një bisede telefonike me kryeministrin malajzian Anwar Ibrahim, sipas faqes zyrtare të presidencës iraniane.

