Kosova
Ish- ministri i Brendshëm: Nëse sulmohet Kosova, Shqipëria është automatikisht në luftë me Serbinë
Ish ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku foli për zhvillimet dramatike në Kosovë. Lleshaj deklaroi se në skenarin më ekstrem, atë të një sulmi të serbëve ndaj Kosovës, Shqipëria do t’i ishte automatikisht në luftë, pasi populli do të angazhohej në të, pavarësisht vendimeve të lidershipit shqiptar. Lleshaj tha se Serbia ka një qasje agresive ndaj Kosovës dhe e ka detyrim Kushtetues aneksimin e veriut, ndaj veprimet e tyre nuk duhet të vijnë si surprizë, por konsideroi si jo të duhur veprimet e deritanishme të komunitetit ndërkombëtar që nuk e ka frenuar në kohë Serbinë në këtë fushatë agresive. “Nëse, hipotetikisht, Serbia do të përfshihet në angazhim ushtarak, ne jemi të përfshirë automatikisht, pavarësisht nivelit tonë politik. Shqipëria do të përfshihet nga poshtë edhe po nuk u përfshi nga lart. Automatikisht Shqipëria është në luftë nëse sulmohet Kosova. Prandaj duhet që Shqipëria të mos e konsiderojë si opsion teorik, nevojën për të qenë të angazhuar. Serbia e ka në Kushtetutë këtë opsion. Vuçiç e tha në mënyrë brutale, na vrisni të gjithëve, ne këtu jemi. Nuk mund të kalojmë në regjimin e sigurisë absolute, sepse siguria e Shqipërisë dhe Kosovës janë dy enë që komunikojnë në të njëjtën linjë”, tha ndër të tjera ish ministri.