Rajon
Ish-ministri i Vuçiç paralajmëron: Putin po rrëmben Ballkanin
“Ai konsiderohet si autokrati i plotfuqishëm i Ballkanit, lavdëron gjakderdhësit si Vladimir Putin dhe diktatorë brutalë si Xi Jinping, teksa Berlini dhe Brukseli po mendojnë seriozisht ta bëjnë atë pjesë të Bashkimit Evropian” – Kështu shkruan gazeta gjermane BILD për presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Për situatën aktuale në Serbi ka folur dikush që i ka shërbyer atij si ministër i ekonomisë.
Në intervistën për BILD, Rade Basta paralajmëroi në mënyrë eksplicite: Gjermania dhe BE-ja duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se edhe Moska është ulur në tryezën e bisedimeve me Vuçiçin. Ai po mashtron Unionin Europian. Udhëheqja ruse dhe mafia e saj e kanë Ballkanin nën kontroll, po rrezikojnë stabilitetin në fuçinë e barutit dhe synojnë në mënyrë eksplicite të destabilizojnë Bashkimin Evropian.”
Ndërsa fliste për integrimin e Serbisë në BE, Basta u shpreh se në Beograd nuk ka vullnet.
“Thjesht nuk ka vullnet në Beograd për të ecur në përputhje me politikat dhe standardet evropiane kur bëhet fjalë për politikën e jashtme. Brukseli dhe Berlini më në fund duhet ta pyesin veten seriozisht me kë kanë negociuar në Beograd prej vitesh, kryesisht pa rezultate. Aleksandër Vuçiç dhe, mbi të gjitha, njerëzit përreth tij I kanë sytë nga Moska” – tha Basta, duke shtuar –
“Në fund të fundit, për ne në Serbi, por edhe për fqinjët tanë në Ballkan, gjithçka varet nga ajo që Berlini dhe Brukseli duan dhe janë të përgatitur të zbatojnë. Dëshironi një Ballkan demokratik – apo dëshironi të vazhdoni të shikoni të gjithë rajonin të degjenerohet në një koloni mafioze ruse? Për momentin, politika e tyre e verbër në Ballkan po siguron që Rusia po fiton. Njerëzit e Moskës po veprojnë në Serbi, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi. BE duhet të marrë në konsideratë pranimin e shpejtë të Ballkanit në BE për të kundërshtuar ndikimin keqdashës të Rusisë. Gjermania në veçanti, si fuqia më e fortë në BE, duhet ta ketë kuptuar prej kohësh se ka të bëjë me një forcë mafioze nga Moska”.
Ish-ministri gjithashtu paralajmëroi më tej se Gjermania nuk e di se kujt po i drejtohet në Ballkan.
“Ndikimi i Moskës në Serbi është i madh! Moska e ka Beogradin në duart e saj, veçanërisht në sektorin e energjisë, shumica e të cilit është në duart e kompanive ruse. Kur erdha në detyrë, një nga deklaratat e mia të para ishte se doja të mbyllja bazën ruse pranë qytetit të Nishit. Pastaj u përjashtova nga qeveria sepse kërkova vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Qeveria më ka luftuar që atëherë. Partia ime ‘Rruga Evropiane’ u përjashtua nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare, u pranua një parti e Moskës me të njëjtën madhësi, ‘Partia Ruse’. Kjo do të thotë shumë për Serbinë sot: një parti evropiane nuk lejohet të kandidojë, por një parti ruse po”, deklaroi Basta