Connect with us

Politike

Ish-presidenti i Sllovenisë thirrje BE-së: Anëtarësoni shtetet ose do humbisni rajonin

Në podcastin e radhës Public Square, Ditmir Bushati ka të ftuar ish-Presidentin e Sllovenisë Borut Pahor, me të cilin diskutojnë mbi një nga çështjet më thelbësore të momentit për Europën dhe Ballkanin Perëndimor: riformësimi i rendit gjeopolitik global dhe vendi i rajonit në këtë mozaik të ri ndërkombëtar.

Pahor thekson se rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë po i vjen fundi. Po lind një botë ku dominon logjika e sferave të interesit, jo më parimet klasike të të drejtës ndërkombëtare dhe institucioneve multilaterale. Europa ndodhet përballë një tranzicioni të ndërlikuar, ku duhet të përshtatet paqësisht, për të shmangur pasoja të dhunshme apo destabilitet.

Pohar thotë se Bashkimi Europian është përpara nevojës për një vendimmarrje të guximshme në raport me Ballkanin Perëndimor.

“Nëse BE-ja nuk vepron tani, do të jetë shumë vonë më vonë,” deklaroi Pahor, duke theksuar se rendi gjeopolitik ndërkombëtar po ndryshon me shpejtësi dhe BE-ja duhet të përshtatet për të mos mbetur një fuqi e dorës së dytë. “Ballkani Perëndimor nuk mund të mbetet peng i burokracisë apo frikës së shteteve anëtare – është koha për vizion dhe guxim politik,” përmbylli ai.

Duke diskutuar mbi zhvillimet globale, Pahor thekson se po hyjmë në një botë ku dominon logjika e sferave të interesit, ndërsa roli i rendit ndërkombëtar të pas Luftës së Ftohtë po zbehet. Sipas tij, në këtë mozaik të ri, Ballkani Perëndimor rrezikon të bëhet një zonë tampon mes Perëndimit dhe Lindjes autokratike – veçanërisht nëse Serbia mbetet jashtë BE-së.

Për këtë arsye, vijon argumentimin Pahor, zgjerimi nuk mund të trajtohet më si një proces teknik dhe i ngadaltë, por si një prioritet gjeopolitik. Ai propozoi një qasjen “paketë” për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me synim anëtarësimin e përbashkët në BE deri në vitin 2030.

“Kostoja e kësaj vendimmarrjeje është shumë më e ulët sesa pasojat e një Ballkani të ndarë e të ndikuar nga Rusia dhe Kina”, tha ai.

Sipas Pahorit, BE-së i mungon sot lidershipi politik i fuqishëm, krahasuar me liderët e SHBA-së, Rusisë apo Kinës. Ai theksoi se struktura aktuale e BE-së e pengon vendimmarrjen efektive, ndaj është e nevojshme që të rishikohen kompetencat, të forcohet mbrojtja dhe të bëhet një ndërlidhje më e fortë midis integrimit dhe sigurisë.

Borut Pahor është një figurë mjaft e rëndësishme politike, i cili ka themeluar nismën e “Miqve të Ballkanit Perëndimor”. Nismë, e cila promovon një përfshirje sa më të shpejtë të rajonit tonë brenda BE-së, dhe gjithashtu krijimin në të ardhmen të Shteteve të Bashkuara të Europës, si një pol që mund të bashkëveprojë në mënyrë më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusinë dhe Kinën si aktorë të rëndësishëm gjeopolitikë.

Advertisement