Connect with us

Bota

Ish-shefat e sigurisë së Izraelit thirrje urgjente: Trump të ndihmojë në përfundimin e luftës në Gazë

Qindra zyrtarë të sigurisë izraelite në pension, përfshirë ish-krerët e agjencive të inteligjencës, i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që të ushtrojë presion mbi Qeverinë izraelite për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

“Është vlerësimi ynë profesional që Hamasi [v.j. grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian] nuk paraqet më kërcënim strategjik për Izraelin”, shkruan në një letër të hapur ish-zyrtarët.

“Fillimisht, kjo luftë ishte luftë e drejtë, luftë mbrojtëse, por kur ne arritëm të gjitha synimet ushtarake, kjo luftë pushoi së qeni luftë e drejtë”, tha Ami Ayalon, ish-drejtori i shërbimit të sigurisë, Shin Bet.

Lufta, që po i afrohet muajit të 23-të, “po e çon Izraelin drejt humbjes së sigurisë dhe identitetit të tij”, paralajmëroi Ayalon në një video të publikuar së bashku me letrën më 4 gusht. E nënshkruar nga 550 persona, përfshirë ish-shefat e Shin Bet dhe agjencisë së spiunazhit, Mossad, letra i bën thirrje Trumpit që “të udhëheqë” kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, drejt një armëpushimi.

Izraeli nisi operacionin ushtarak në Rripin e Gazës në kundërpërgjigje ndaj sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit 2023, që Hamasi kreu ndaj Izraelit. Në javët e fundit, Izraeli po përballet me presion të madh nga ndërkombëtarët që të pranojë një armëpushim, i cili do të mundësonte lirimin e pengjeve izraelite që mbahen në Gazë dhe shpërndarjen e ndihmave nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara në territorin palestinez.

Por, disa në Izrael, përfshirë ministra të Qeverisë së Netanyahut, po kërkojnë që forcat izraelite të vazhdojnë ofensivën dhe që Gaza të pushtohet tërësisht ose pjesërisht. Letra po ashtu u nënshkrua nga tre ish-krerët e Mossadit: Tamir Pardo, Efraim Halevy dhe Danny Yatom. Përmes kësaj letre, nënshkruesit argumentuan se ushtria izraelite “ka arritur prej kohësh dy objektivat që mund të përmbusheshin me forcë: shkatërrimin e strukturave ushtarake dhe sundimit të Hamasit”.

“Objektivi i tretë, dhe më i rëndësishmi, mund të arrihet vetëm përmes një marrëveshjeje: kthimi në shtëpi i të gjithë pengjeve”, thanë nënshkruesit.

Në letër, ish-zyrtarët i thanë Trumpit se ai gëzon kredibilitet te shumica e izraelitëve dhe mund të ushtrojë presion ndaj Netanyahut për t’i dhënë fund luftës dhe për të kthyer pengjet. Pas një armëpushimi, nënshkruesit argumentuan se Trumpi mund të detyrojë krijimin e një koalicioni rajonal që do të mbështeste një Autoritet Palestinez të reformuar për të marrë drejtimin e Gazës, si një alternativë ndaj sundimit të Hamasit./ RE

Advertisement