Connect with us

Politike

“Ishallah Berishës i jep Zoti fuqi të pleqërojë, por..”/ Dashnor Sula kundër kreut të opozitës?

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula apeloi për riorganizim të Partisë Demokratike, largimin e figurave të konsumuara dhe bërjen e zgjedhjeve të reja.

Sula tha se duhet përballje me qeverinë me protesta sepse ndryshe narkoshteti dhe kryeministri Edi Rama nuk rrëzohen.

Demokrati deklaroi se nuk largohet nga politika dhe do luftojë deri në frymën e fundit, teksa këshilloi që edhe për zgjedhjet e Bashkisë së Tiranës kandidatë të jenë figura të spikatura, duke sugjeruar emrat e Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit.

Ish-ligjvënësi demokrat theksoi se baza është e pakënaqur me lidershipin.

“I keqardhur për atë që ndodhi sot në Kuvendin e Shqipërisë. Njerëzit janë të pakënaqur me lidershipin e PD-së, më ankohen në rrugë, të rinj, gra e qytetarë. Njerëzit e kuptojnë atë që ndodh në PD. Njerëzit e kanë kuptuar që kanë vënë bastin e gabuar. Ishallah Berishës i jep Zoti fuqi të pleqërojë, por 35 vite në politikë janë shumë.

Për moshën e vet është shumë herë më mirë se të tjerët apo mesatarja e tij, por çfarë të them tani. Narkoshteti nuk rrëzohet me fjalë, por me votë, protesta dhe dhunë. Shumë figura të PD-së duhet të ishin në Parlament. Nuk rrëzohet pushteti me disa nga këto figura të konsumuara politike”, tha Sula për News 24.

Dashnor Sula vuri në dukje se edhe në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste nuk fitoi, sepse mori më pak vota nga zgjedhjet e kaluara, por ishte opozita e përçarë dhe me figura të konsumuara që shkaktoi atë distancë të madhe votash.

“PS më 11 maj nuk ka fituar, nuk mori më shumë vota se zgjedhjet e kaluara, madje mori më pak. Por u larguan votuesit e PD-së, pjesa gri që nuk votoi për ta. Partia Demokratike duhet të riorganizohet. Ka shtresë gri që nuk do as pushtetin, por nuk i beson as kësaj opozite. Kush ta fal ty që disa figura të konsumuara politikisht ti i vë në listat e sigurt.

Ka figura të tjera që u lanë jashtë dhe morën vota, si Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti dhe të tjerë që kanë marrë numër të madh votash, kanë marrë shumicën e tyre. Merri ata dhe vendosi aty. Demokratët i urrejnë disa figura aty brenda. Bëjnë interesa të vogla dhe mbajnë njëri-tjetrin aty.

A thua se Taulant Balla dhe Arbjan Mazniku ishin më të mirët? Tani, më të mirë nga këta që kishte PD ishin, ndaj duheshin figura jo të konsumuara”, vijoi ish-deputeti argumentet e tij politike.

Në analizën plotësuese, ai sugjeroi edhe për kreun e PD-së, Sali Berisha, që të bënte zgjedhjet e reja në parti dhe të linte një pasues, pasi edhe moshën nuk e kishte në favor.

“Berisha duhet të rrijë në krye të PD-së 6 muaj dhe të bëjë zgjedhje në parti, të hapi garën, e të thotë unë tani po iki dhe të vendosë emra të rinj, ta hapi garën dhe do shohësh se Rama do e ketë të vështirë. Nëse ndiqet kjo rrugë me një mijë për qind që unë afrohem.

Por jo me këta njerëz që janë atje, kanë nga 11 funksione dhe nuk kanë bërë asnjëherë zgjedhje brenda grupeve. Bujar Leskaj që është besnik i Berishës njëherë foli për kryetarin e grupit dhe këta në darkë desh e shqyen, ju lëshuan”, deklaroi ai.

Por a do të largohet Sula nga PD? Ish-deputeti e mohon, por nëse nuk ndodhin ndryshime, shton se nuk ka rrugë tjetër.

“Unë në politikë do vazhdoj, nuk largohem, ta harrojë Berisha, kam kontributet e mia, ne do vazhdojmë, kam edhe kolegë të tjerë. Dëshira është rikonfigurimi, rindërtimi i PD-së. Nëse këta s’e bëjnë e mbajnë partinë peng, për veten e vet dhe njerëzit rreth tij, nuk do e mund kurrë PS-në dhe Ramën, se ata kanë qasje tjetër, me pisllëqe, vjedhje etj., kurse ne kemi probleme e sherre brenda vetes. Ndaj duhen zgjedhur burra e gra që kanë dinjitet, moral dhe nuk janë hajdutë. Nuk e shoh partinë si pronë, por si bashkim”, u shpreh ai.

Kurse në lidhje me zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës, ai sugjeroi emrat e Tabakut dhe Alimehmetit.

“Për Bashkinë e Tiranës nuk e merr njeri. Le të vënë Vokshin dhe Nokën kandidatë, se të tjerët nuk e marrin, Tabaku s’e merr, Alimehmeti nuk e merr. Ishallah e gjejnë, por nuk kanë. Për mua vetëm Tabaku dhe Alimehmeti janë dy emrat për bashkinë e Tiranës si kandidatë. Duhet terreni, duhet baza, të takohen demokratët”, vijoi ish-deputeti.

Kurse për figurat e vjetra të opozitës bëri analogji me mazhorancën, duke thënë se ka futur 53 deputetë të rinj në Parlament.

“Rama futi 53 deputetë të rinj në Parlament, këta mbajtën galloshët. Nuk kam asgjë me Tritan Shehun, por ai është, fitoi mandatin po për shkak të formulës. Futi ata të tjerët aty, galloshet. Rama nuk merrte kurrë 83 mandate po të ishin ndjekur rregullat, emrat e rinj, ata që kanë vota.

Do dilte 71 mandate maksimumi ose barazim, por 83 mandate? Është diferencë e madhe votash. Nëse ne do vazhdojmë të shahemi e të ankohemi, ky i fiton zgjedhjet prapë e ta gëzojë mandatin”, theksoi Sula.

Advertisement