Politike
Ishulli Sazanit, investimi politik i Ramës dhe Berishën që nuk e llogarit njeri
Analisti Andi Bushati u shpreh se projekti i Sazanit që iu dha dhëndrit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, është investim i pastër politik i kryeministrit Rama të cilin ai e bën për interesat e veta personale.
“Këtu të flasësh për leverdisshmëri, investimet, zhvillim apo jo, është si të debatosh për seksin e engjëjve me ca hajdutë. Kjo nuk është çështje ekonomike. Është çështje e pastër lobimi që Rama po e bën për interesat e veta personale. “New York Times” thoshte është konflikt interesi. Shqipëria dhe Serbia po i japin diçka familjes Trump dhe do të vendosë për çështje të caktuara për këto dy vende. Komisioni i Senatit ka thënë të njëjtën gjë. Pse është investim politik? Nuk na bën çudi që çdo gjë Ramës i vjen nga Beogradi. Alabari investoi në Beograd, Vuçiçi e solli këtu. Grenelli shkoi mori atë ndërtesën e dëmtuar nga NATO në Beograd, pastaj i hodhi sytë këtej. Parësore nuk është shitja po “hajde shfrytëzojmë potencialet për të qëndruar në pushtet”. Është një investim i pastër politik. Është mënyra si operon Rama. Unë nuk merrem me Saliun se është fare irilevant në këtë pikë. Nuk ka gjë në dorë as tani, as pas 11 majit. Është investim i pastër politik. E thonë mediat amerikane dhe e shohim edhe ne. Kështu operon Rama, me Melonin, me muxhahedinët, me afganët, e me radhë”- tha Bushati.