Connect with us

Bota

Iu bë atentat, kryeministri i Sllovakisë Robert Fico mbetet nën kujdesin intensiv të mjekëve

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë nën kujdes intensiv dhe do të mbetet në spitalin e qytetit Banksa Bistrica së paku deri më 20 maj, thanë të premten zyrtarët qeveritarë dhe mediat lokale. Ai mund të zhvendoset në spitalin e kryeqytetit sllovak Bratislavë pas kësaj date, sipas tyre.

Fico, i cili u qëllua katër herë me armë zjarri më 15 maj, është në gjendje të flasë paksa dhe gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar prej se u sulmua, pasi plagët ia vunë jetën në rrezik

Mediat lokale raportuan të premten se mjekët do ta vlerësojë gjendjen e Ficos më 20 maj për të vendosur nëse ai mund të zhvendoset në spitalin e kryeqytetit.

Fico, një politikan veteran në Sllovaki që u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer i fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, kishte dalë nga një takim i Qeverisë së tij në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak, kur një burrë i armatosur iu afrua dhe e qëlloi.

 

 

Sulmuesi ishte i “motivuar politikisht”, tha të enjten zëvendëskryeministri Robert Kalinak, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes dhe aleat i ngushtë i Ficos në partinë e tij Smer.

Mediat lokale raportuan të enjten se i dyshuari për atentatin ndaj Ficos, i cili u arrestua në vendin e ngjarjes pak çaste pasi shtiu me armë zjarri, akuzohet për tentim-vrasje.

Emri i të dyshuarit nuk është bërë i ditur, por mediat raportojnë se ai është një burrë 71-vjeçar.

Presidentja sllovake, Zuzana Caputova, bëri thirrje të enjten që të ndalet “urrejtja e dhunshme” që e ka kapluar Sllovakinë.

“Ne duhet të dalim nga ky cikël i urrejtjes së dhunshme dhe nga akuzat e ndërsjella. Ajo që ndodhi dje, ishte akt individual, por atmosfera e tensionuar e urrejtjes është vepër e jona e përbashkët”, tha ajo./Rel/

Advertisement