Bota
Izraeli justifikon sulmin në spitalin e Gazës: Pamë kamera të Hamasit

Ushtria izraelite (IDF) ka publikuar sot gjetjet e para nga hetimi i brendshëm për sulmin e djeshëm ndaj spitalit Nasser në Gazën jugore, ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë së territorit palestinez humbën jetën 20 persona, mes tyre pesë gazetarë.
Sipas IDF-së, trupat izraelite kishin “identifikuar një kamerë të vendosur nga Hamasi” pranë spitalit, që përdorej për të “vëzhguar lëvizjet e ushtarëve”. Ushtria nuk paraqiti prova konkrete për këtë pretendim, por tha se përfundimi lidhej edhe me “përdorimin e përsëritur të spitaleve për qëllime ushtarake nga organizatat terroriste gjatë luftës”.
IDF tha se gjashtë nga të vrarët ishin “luftëtarë të armatosur”, ndërsa pjesa tjetër ishin civilë.
Ushtria: Objektivi ishin militantët, jo civilët
Në një deklaratë, shefi i shtabit të përgjithshëm tha se “ushtria e Izraelit synon vetëm objektiva ushtarake”, por shtoi se “shpreh keqardhje për çdo dëm të shkaktuar civilëve”.
Hetimi i plotë do të përqendrohet në dy drejtime:
-procesin e autorizimit përpara sulmit, përfshirë llojin e municionit të përdorur dhe momentin kur u dha leja për goditjen;
-vendimmarrjen në terren nga komandantët.
Sulmi ndaj spitalit ka shkaktuar reagim të ashpër ndërkombëtar. Organizatat e të drejtave të njeriut e kanë cilësuar “të papranueshëm” goditjen e një institucioni shëndetësor, ndërsa disa vende perëndimore kanë kërkuar hetim të pavarur dhe përgjegjësi ligjore.
Ndërkohë, qeveria izraelite insiston se Hamasi përdor spitale dhe ambiente civile si mburoja ushtarake, duke e paraqitur këtë si justifikim për sulmet që kanë prodhuar viktima të shumta mes popullatës.

