Bota
Izraeli mbyll kalimin kufitar të Rafah, kufizon ndihmat për në Gaza derisa të kthehen trupat e pengjeve
Izraeli ka vendosur të mbyllë kalimin kufitar të Rafah, në kufirin jugor të Rripit të Gazës me Egjiptin, duke filluar nga sot, 15 tetor, dhe të kufizojë flukset e ndihmës humanitare derisa të marrë trupat e pengjeve të ndjera nga Hamasi. Stacioni televiziv izraelit “Channel 13” raporton se, në zbatimin e këtij vendimi, udhëheqja politike e Izraelit ndoqi rekomandimet e forcave të sigurisë për të vendosur sanksione ndaj grupit islamist palestinez Hamas nëse ai nuk do të përmbushte kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.
Pas lirimit të 20 pengjeve të gjalla, Hamasi duhej të dorëzonte trupat e 28 pengjeve, por vetëm katër u kthyen. Mosdorëzimi i 24 trupave thuhet se është për shkak të vështirësisë në gjetjen e tyre për shkak të bombardimeve të muajve të fundit, të cilat Hamasi i kishte raportuar vazhdimisht. Kjo vështirësi është konfirmuar edhe nga Kryqi i Kuq.
Kjo nuk është hera e parë që Izraeli ka përdorur “politikën” e bllokimit të ndihmës për popullsinë e rraskapitur. Disa organizata ndërkombëtare, nga Caritas te UNRWA, e kanë akuzuar Izraelin në muajt e fundit për përdorimin e “urisë së popullsisë si armë lufte”.
Lajm i perditesuar
Izraeli rihap pikëkalimin në Rafah, heq dorë nga masat kundër Hamasit
Izraeli ka vendosur që të rihapë pikëkalimin në Rafah, që lidh Rripin e Gazës me Egjiptin, dhe të lejojë transferimin e ndihmës humanitare në enklavë. Njoftimi vjen pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – dorëzoi mbetjet mortore të katër pengjeve, raportoi transmetuesi publik izraelit, Kan, më 15 tetor. Lirimit të pengjeve i parapriu një paralajmërim nga Izraeli se do të përgjysmonte numrin e kamionëve me ndihma që do të lejoheshin të hynin në Gazë, por kjo masë është anuluar pas dorëzimit të katër trupave të pengjeve të vdekura. Të martën presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje Hamasit që të lirojë pengjet e vdekura, duke thënë se puna për ndalimin e luftës nuk ka përfunduar. Hamasi liroi më 13 tetor të 20 pengjet e gjalla izraelite, ndërkaq Izraeli liroi afër 2.000 palestinezë që mbaheshin në burgjet në Izrael. Po atë ditë, autoriteteve izraelite iu dorëzuan mbetjet mortore të katër pengjeve. Lirimi i pengjeve dhe armëpushimi në Gazë është pjesë e fazës së parë të planit 20 pikësh të prezantuar nga presidenti Trump për paqe në enklavën palestineze. Më 14 tetor, Trump tha se faza e dytë e planit të tij ka nisur. Plani për paqe parasheh çarmatosjen e Hamasit – kërkesë që Izraeli e kishte parashtruar paraprakisht, por ishte refuzuar nga grupi radikal palestinez.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë.
Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe 2 milionë banorët e territorit po përballen me krizë të thellë humanitare. /rel