Politike
Izraeli me elozhe për Ramën dhe Shqipërinë: Treguat guxim, jeni shembull për botën
Kryetari i Knessetit, Amir Ohana, ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama dhe Parlamentin e Shqipërisë për “guximin, qartësinë morale dhe angazhimin ndaj drejtësisë”, sa i takon shpalljes së Iranit si shtet sponsorizues i terrorizmit.
Në mesazhin e tij publikuar në median sociale X, Ohana shkruan se udhëheqja e Ramës dhe vendimmarrja e Parlamentit shqiptar janë shembuj të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar.
“Udhëheqja juaj vendos një shembull të rëndësishëm për komunitetin ndërkombëtar. Faleminderit”, thekson kryetari i Knessetit.
Përgëzimet e Ohana-s theksojnë kështu edhe një herë rolin e Shqipërisë si një partner aktiv në dënimin e akteve të regjimit iranian, në kohën kur gjithashtu Garda Revolucionare Islamike dhe grupimi militant Hezbollah janë shpallur nga Shqipëria organizata terroriste.
Çfarë përmban rezoluta?
Të martën, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 79 vota pro dhe një abstenim rezolutën që shpall Republikën Islamike të Iranit “shtet sponsor të terrorizmit”, një hap që e vendos Tiranën në një rreth të ngushtë shtetesh që kanë ndërmarrë një përcaktim të tillë.
Por përtej formulimit, dokumenti është më shumë sesa një deklaratë politike. Ai është një përpjekje për të kodifikuar në gjuhë zyrtare një seri zhvillimesh që Shqipëria i ka përjetuar drejtpërdrejt vitet e fundit – nga sulmet kibernetike te tensionet në rritje në arkitekturën globale të sigurisë.
Versioni final i rezolutës, i cili u diskutua dhe u miratua në një seancë pa opozitën, shkon përtej shpalljes së Iranit si sponsor të terrorizmit. Ai artikulon një narrativë të qartë: se aktivitetet e Teheranit nuk janë vetëm rajonale, por përfshijnë financim, koordinim dhe mbështetje të strukturave të armatosura që veprojnë përtej kufijve të tij.
Në këtë kuadër, dokumenti i kushton një vëmendje të veçantë sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë, duke përfshirë sulmin e vitit 2022 ndaj institucioneve shtetërore dhe përpjekjet më të fundit për ndërhyrje në sistemet e Kuvendit. Këto episode përshkruhen si pjesë e një strategjie më të gjerë të përdorimit të mjeteve hibride për destabilizim.
Rezoluta gjithashtu shënon një ashpërsim të qëndrimit ndaj strukturave kyçe të shtetit iranian. Ajo dënon rolin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), duke kërkuar shpalljen e saj si organizatë terroriste, si dhe klasifikimin e Hezbollah-ut si një organizatë proxy e lidhur me Iranin.