Bota
Izraeli, sulm ajror në Bregun Perëndimor, raportohen 16 palestinezë të vrarë
Izraeli ndërmori një sulm ajror në Bregun Perëndimor të premten, ndërsa operacioni i tij ushtarak në shkallë të gjerë në këtë territor hyri në ditën e tretë. Të dyja palët njoftuan për të paktën 16 palestinezë të vrarë.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se operacioni ushtarak që Izraeli filloi në Bregun Perëndimor të mërkurën po “rëndon situatën e rrezikshme” në territor dhe po i kërkon Izraelit që t’i japë fund atij.
Në Shtetet e Bashkuara, Nënpresidentja Kamala Harris u zotua se nuk do ta ndryshojë politikën e Uashingtonit për furnizimin me armë të Izraelit nëse fiton zgjedhjet në nëntor.
Por ajo theksoi se është koha që t’i jepet fund luftës.
Izraeli ka thënë se bastisjet në qytete dhe kampe refugjatësh në të gjithë Bregun Perëndimor janë operacione “kundër-terrorizmi”.
Ushtria tha se një nga “avionët e saj goditën një bazë terroriste” pranë qytetit të Xheninit të premten herët, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Trupat izraelite u tërhoqën nga qytete të tjera të Bregut Perëndimor të enjten vonë, por luftimet u ndezën rreth Xheninit, që ka qenë prej kohësh qendër e aktivitetit militant.
Ushtria izraelite tha se vrau shtatë militantë të enjten, përfshirë pesë militantë në kampin e refugjatëve Tulkarem. Sipas një deklarate të ushtrisë, një nga pesë personat ishte Muhamed Jaber, një komandant i grupi militant palestinez Xhihadi Islamik. Dy militantë të tjerë u vranë në Jenin të enjten, tha ushtria.
Sulmi izraelit ka shkaktuar shkatërrime të konsiderueshme, veçanërisht në Tulkarem, guvernatori i të cilit Mustafa Taqatqa i përshkroi bastisjet si “të pashembullta” dhe një “sinjal të rrezikshëm”.
Trupat izraelite dhe kolonët kanë vrarë më shumë se 640 palestinezë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar, ndërsa sulmet palestineze kanë vrarë të paktën 19 izraelitë.
Forcat izraelite kanë kryer vazhdimisht bastisje në Bregun Perëndimor, duke thënë se synimi është parandalimi i sulmeve të mundshme.
Hamasi i ka quajtur sulmet pjesë të një plani më të madh për të zgjeruar luftën e Gazës dhe duke fajësuar për përshkallëzimin, mbështetjen e SHBA-së për Izraelin.
Në Gazë, artileria izraelite goditi zonat perëndimore të qytetit të Gazës herët të premten, tha një gazetar i AFP, ndërsa një burim mjekësor në spitalin jugor Nasser tha se një sulm izraelit vrau tre persona pranë qytetit jugor të Khan Yunis.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Izraeli ka rënë dakord për të paktën tre ditë “pauzë humanitare” në pjesë të Gazës, duke filluar nga e diela, për të mundësuar vaksinimin e banorëve nga poliomeliti, pasi i identifikua rasti i parë i kësaj sëmundjeje në territor që prej një çerek shekulli.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se masat “nuk ishin një armëpushim” në luftën gati 11-mujore që filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor.