Connect with us

Bota

Ja çfarë ndodh pas vdekjes/ Teoria që po ‘çmend’ botën

Nëse nga njëra anë ka fe që parashikojnë një vazhdimësi të caktuar të jetës në jetën e përtejme, duke zbutur frikën e vdekjes dhe duke i dhënë një kuptim domethënës jetës së besimtarit, nga ana tjetër gjejmë shoqëri bashkëkohore që ekzorcon frikën e vdekjes ose tenton ta anulojë atë nga përvoja e përditshme, duke shmangur bisedën për të ose duke e bërë atë spektakolare në drama televizive ose filmike, ku heroi i pavdekshëm në detyrë vret armiqtë e tij sikur të ishin miza.

Ekziston një libër: Biocentrizmi: Si jeta dhe ndërgjegjja janë çelësat për të kuptuar natyrën e universit” teori që po shkakton një bujë të madhe në botën e internetit – jeta nuk mbaron kur trupi vdes, por mund të zgjasë përgjithmonë.
Autori i kësaj ideje revolucionare, është Robert Lanza, i votuar nga New York Times si “shkencëtari i tretë më i rëndësishëm i gjallë”

Lanza, ekspert në mjekësinë rigjeneruese, drejtor shkencor në ‘Advanced Cell Technology’ dhe profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit’ Wake Forest’ me më shumë se 30 libra të botuar, duke përfshirë “Parimet e inxhinierisë së indeve” dhe “Esencialet e biologjisë së qelizave burimore”, i njohur për kërkimin e tij të gjerë mbi qelizat staminale, i famshëm për kryerjen e disa eksperimenteve të suksesshme mbi klonimin e specieve të rrezikuara të kafshëve, kohët e fundit i apasionuar pas fizikës, mekanikës kuantike dhe astrofizikës, falë shkathtësisë së studimeve të tij, ai zhvilloi teorinë e Biocentrizmit, sipas së cilës vdekja, nuk është gjë tjetër veçse një iluzion i krijuar nga vetëdija jonë.

Shkencëtari, shkruan në uebsajtin e tij “Ne jemi mësuar të mendojmë se jeta është aktiviteti i krijuar nga kombinimi i karbonit dhe një përzierje molekulash, se do të jetojmë për një kohë të caktuar dhe më pas do të përfundojmë duke u kalbur nën tokë”. Sipas tiju, “Në fakt, ne besojmë te vdekja sepse na kanë mësuar se do të vdesim ose, më konkretisht, na kanë mësuar se vetëdija jonë është një fenomen që lidhet me organizmin tonë dhe se ai do të vdesë bashkë me të”.

Në teorinë e tij ai vendos jetën dhe biologjinë në qendër dhe si thelb të universit; në të vërtetë, vetë jeta do të krijonte universin dhe jo anasjelltas. Kjo, sipas Lanzës, do të thotë se është ndërgjegjja e personit që përcakton formën dhe madhësinë e objekteve në univers. Ndërsa filozofia realiste me origjinë greke ka pohuar gjithmonë se realiteti ekziston në vetvete, pavarësisht nga ekzistenca e vëzhguesit, fizika kuantike ka zbuluar se vëzhguesi është vendimtar në formimin e realitetit.

Për të shpjeguar më mirë këtë koncept, shkencëtari përdor ngjyrat: një person e percepton qiellin në një ngjyre të caktuar dhe mësohet se ajo ngjyrë quhet blu, por qelizat e trurit të një personi tjetër mund të perceptojnë një ngjyrë të ndryshme. Lanza e vendos këtë postulat në bazë të teorisë së tij: gjithçka që perceptoni për botën nuk mund të ekzistojë pa ndërgjegjen tuaj, kështu që ndërgjegjja është baza e realitetit.

Hapësira dhe koha janë mjete të të kuptuarit tonë, ndaj, sipas Lanzës, “ne e mbajmë hapësirën dhe kohën si e bëjnë breshkat me guaskë”; ndërsa vdekja e ndërgjegjes ekziston vetëm në formën e mendimit, pasi njerëzit identifikohen me trupin e tyre, duke besuar se kur trupi vdes, vetëdija zhduket. Nëse trupi gjeneron vetëdije, kjo e fundit vdes kur trupi vdes, por nëse trupi merr vetëdijen ashtu si dhe një dekoder merr sinjale satelitore, vetëdija nuk përfundon me vdekjen fizike. Vetëdija ekziston jashtë kufizimeve kohore dhe hapësinore, ajo gjendet në trupin e njeriut dhe jashtë tij.

Por ka një pikë vërtet interesante të teorisë së tij. Shkencëtari thotë: Me vdekjen jeta jonë bëhet një lule shumëvjeçare që kthehet të jetojë në multiunivers”, vendi i mundësive të pafundme dhe se “jeta është një aventurë që kapërcen mënyrën tonë të zakonshme të të menduarit në mënyrë lineare. Shkencëtari beson se shumë universe mund të ekzistojnë njëkohësisht dhe se, ndërsa trupi vdes në një univers, ai mund të vazhdojë të ekzistojë në një tjetër, duke thithur vetëdijen që ka migruar në këtë të fundit. I vdekuri, gjatë rrugëtimit ‘nëpër tunel’, nuk përfundon në ferr apo në parajsë, por në një botë të ngjashme me atë që ka banuar dikur, por këtë herë i gjallë dhe kjo përsëritet pafundësisht.

Multiuniversi është një koncept fizik i mbështetur nga fizikanë dhe astrofizikanë të ndryshëm të cilët besojnë se nuk ka ligje fizike që ndalojnë ekzistencën e botëve paralele. Prandaj, fizika kuantike do të justifikonte, sipas Lanzës, ekzistencën e jetës së përjetshme. Por ekziston një teori tjetër interesante, e njohur si Teoria Kuantike e Ndërgjegjes, që flet shumë për veten: e zhvilluar nga mjeku amerikan Stuart Hameroff dhe fizikani kuantik anglez Roger Penrose, ajo pretendon se shpirtrat tanë janë futur në mikrostruktura të quajtura mikrotubula. të përfshira në qelizat tona të trurit (neuronet). Shpirti përbëhet nga kimikate kuantike të cilat, në momentin e vdekjes, ikin nga sistemi nervor për të hyrë në univers.

Ideja e tyre buron nga koncepti i trurit si një kompjuter biologjik dhe vetëdija është një lloj programi me përmbajtje kuantike që vazhdon në botë pas vdekjes së një personi.  Megjithatë, këto teori magjepsëse nuk zgjidhin dy mistere të mëdha që gjithmonë e kanë hutuar njeriun: cili është qëllimi i përvojës sonë hapësirë-kohore në tokë dhe çfarë ndodh në të vërtetë pas vdekjes?

Advertisement