Kosova
Ja pse djeg e përvëlon sot zjarr e frikë Rezoluta 1244 e KS
Disa nga shtetet hartuese të Rezolutës 1244, prapa dyerve të mbyllura kanë argumentuar se, si rezultat i shpalljes së pavarësisë së Kosovës autoriteti i Rezolutës pushoi së pasuri fuqi, por se së fundmi ajo është cituar në një dokument mjaft të rëndësishëm, dhe bëhet fjalë për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Rezoluta 1244 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sipas ish zyrtar i OKB-së në Kosovë, Jolyon Naegele, është përdorur në këtë dokument me të vetmin funksion – si një batanije sigurie nga Beogradi.
“Rezoluta 1244 duhet rilexuar pasi qëllimisht i referohet Kosovës si krahinë e Republikës Federative të ish Jugosllavisë dhe jo e Serbisë. Sigurisht që kjo e fundit pretendon se meqenëse është shtet pasardhës i RFJ-së, Kosova është Serbi, por këtë pikëpamje nuk e ka asnjë nga shtetet anëtare të G-7” – shfaqi opinionin e tij Naegele
Koordinatori i parë i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të UNMIK-ut në vitin 2003, duke analizuar rrjedhën e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndër vite, tha se as Kosova dhe as Serbia nuk janë të sinqerta me njëra-tjetrën apo me komunitetin ndërkombëtar dhe kanë treguar mungesë të vullnetit të mirë.
Një fenomen i tillë, sipas Naegele, nuk është shfaqur gjatë viteve të fundit, por ka ekzistuar qysh nga fillimi i dialogut të drejtpërdrejtë në Vjenë 20 vjet më parë.
Duke folur për ngjarjen e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, u shpreh se nuk mendonte se ishte një përpjekje e Beogradit për të “aneksuar tërë Veriun e Kosovës”.
“Kosova ka qenë tradicionalisht në shënjestër të provokimeve para zgjedhjeve në Serbi, në një përpjekje populiste për të ngjallur emocione te votuesit serbë se Serbia është viktimë, se interesat serbe janë nën kërcënim dhe se uniteti i të gjithë serbëve është zgjidhja e vetme. Motoja e tyre kombëtare thotë gjithçka – “Vetëm bashkimi e shpëton serbin. Eshtë e drejtë të dyshohet që sulmuesit dhe /ose mbështetësit e tyre janë inkurajuar nga një vend i tretë, i cili kërkon të bashkohet me interesat serbe duke përfituar nga paqëndrueshmëria rajonale. Si zakonisht, Beogradi zgjodhi të rrisë temperaturën politike duke vendosur trupa në kufirin me Kosovën. E kam humbur llogarinë se sa herë Beogradi ka luajtur të njëjtën lojë të luftës së nervave në kufirin me Kosovën që nga viti 2000. Askush me mendje të shëndoshë nuk mund të presë që presidenti Vuçiç të nis një sulm të armatosur për të minuar mandatin ose vendosmërinë e NATO-s në Kosovë, edhe nëse ky është imazhi që ai mund të dëshirojë të lërë mbresa te votuesit serbë” – deklaroi ish zyrtar i OKB-së në Kosovë, Jolyon Naegele