Connect with us

Bota

Jakshiç për paralajmërimin e Macronit: Vrau euro-entuziazmin e popullit serb

Gazetari dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Boshko Jakshiç, ka komentuar paralajmërimin e fundit të presidentit francez Emmanuel Macron se në rast të mungesës së progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike do të rishqyrtohen.

Në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Fonet”, gazetari serb ka vlerësuar se deklarata e presidentit francez mund të jetë kundëproduktive për shkak se ajo mund të “vrasë” euro-entuziazmin e popullit serb që edhe ashtu, është në gradën e fundit prej vitesh.

“Arsyeja e parë është se do të vriste atë pak euro-entuziazëm të mbetur në popullatë dhe e dyta është fakti se është një dënim kolektiv” –  ka konsideruar Jakshiçi, ndërsa ka shtruar pyetjen retorike se pse qytetarët e Serbisë duhet të dënohen për shkak të atyre që janë në pushtet.

Në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të Bashkimit Evropian deri në vitit 2030, ai ka thënë se Serbia aktualisht nuk e meriton të anëtarësohet në BE për shkak se presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, nuk i interesojnë reformat demokratike dhe për më teper, nuk i respekton vlerat evropiane.

“Presidenti Vuçiç lavdëron Bashkimin Europian kur prej saj vijnë në Serbi investime, por nuk më kujtohet të ketë folur ndonjëherë për vlerat e BE-së, demokracinë liberale, sundimin e ligjit apo të drejtat e njeriut” – ka theksuar Jakshiç, ndërsa ka shtuar se Serbia nuk po bën absolutisht asgjë për t’iu afruar BE-së ashtu siç pritet nga Perëndimi.

“Mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorvshme ndaj stabilitetit rajonal. Ajo, gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore – deklaroi Boshko Jakshiç.

Advertisement